Aktualitet

Sot ceremonia mortore e Kryepeshkopit, pjesëmarrës figurat më të larta të klerit botëror

Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër

F.I
Sot ceremonia mortore e Kryepeshkopit, pjesëmarrës figurat më
HOMAZHE

TIRANË-Sot do të zhvillohet ceremonia mortore në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” për Kryepeshkopin Anastas, pas mbarimit të Liturgjisë Hyjnore. Trupi i Kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur përjetësisht në një ambient të posaçëm brenda Kishës, që do jetë edhe i vizitueshëm. Klerikët do të mbajnë meshë përshpirtjeje me turne e pa ndërprerje deri nesër, kur trupi i kryepeshkopit do të vendoset për t’u prehur në kriptën e nëndheshme.

Ceremonia do të drejtohet nga Mitropoliti i Korçës, Joan, i cili u vendos nga mbledhja e Sinodit të Shenjtë si kujdestar i fronit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Në ceremoninë mortore priten në kryeqytetin shqiptar të vijnë figurat më të larta të klerit në botë dhe jo vetëm ato të Kishës Ortodokse.

Nga Vatikani pritet një delegacion i gjerë i drejtuar nga Sekretari i Shtetit, Pietro Parolin. Konfirmohet pjesëmarrja e Kryeministrit grek, Mitsotakis, me një delegacion të gjerë nga Athina, përfshirë 5 ministra të kabinetit të tij qeveritar, ndërsa do ketë fjalime nga klerikë e politikanë, mes tyre edhe dy Kryeministrat Rama e Mitsotakis.

Gjithashtu në ceremoni do të marrë pjesë Patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu, Patriarku i Izraelit Theofili i Jerusalemit, Kryepeshkopit të Greqisë Jeronimi, Patriarku i Qipros, i Aleksandrisë; i Bullgarisë, i Rumanisë etj.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25  janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991./ZËRI

Poll

MOS HUMB