LIVE UPDATES

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës

♦Viti i ri shkollor 2026–2027 ka nisur sot në të gjithë vendin. ♦Në total, 340 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës, ku rreth 25 fëmijë nisin për herë të parë klasën e parë. ♦Në vitin shkollor 2026–2027, 53 shkolla të reja ose të rehabilituara hapin dyert për nxënësit. ♦Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, Mirela Kumbaro, i ka uruar nxënësit për një vit të mbarë shkollor dhe ka renditur punën e institucionit që drejton për të siguruar kushte dhe mjedis të ngrohtë për nxënësit. ♦Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjithashtu ka uruar nxënësit për vitin e ri shkollor, teksa ka ndarë pamje nga disa prej shkollave të rikonstruktuar këtë vit.

6 artikuj për këtë temë.
54 MINUTA ME PARE

Rikthehen nxënësit në shkolla, Kryepolici Hita: Për sigurinë tuaj s'bëjmë kompromis, flisni nëse diçka ju shqetëson (VIDEO)

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
pamje nga policia-dita e pare e shkolles

TIRANË- Me nisjen e vitit të ri shkollor, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka përcjellë një mesazh urimi për të gjithë nxënësit, mësuesit dhe prindërit.

Në mesazhine tij, Hita thekson se Policia e Shtetit do të vijojë të jetë e angazhuar për garantimin e një mjedisi të sigurt në dhe pranë shkollave. Po ashtu, ai u bën thirrje nxënësve që të flasin dhe të kërkojnë ndihmë nëse përballen me shqetësime.

Mesazhi i plotë:

Të dashur nxënës, të nderuar mësues dhe prindër,

Çdo fillim viti shkollor sjell një energji të veçantë.Oborret e shkollave mbushen sërish me fëmijë e të rinj, me emocionet e takimeve, me pritshmëri dhe me ëndrra të reja, ndërsa për prindërit interesimi për sigurinë dhe rezultatet në mësime.

Sot, për nxënësit nis një tjetër rrugëtim drejt dijes, ndërsa për ne, Policinë e Shtetit, nis një përgjegjësi edhe më e madhe: të kujdesemi që ky rrugëtim të jetë i sigurt, sepse për sigurinë tuaj nuk bëjmë kompromis dhe nuk pushojmë.

Nëse diçka ju shqetëson, flisni, sepse zëri juaj ka shumë rëndësi për ne.

Na priftë e mbara dhe paçi një vit shkollor të suksesshëm e të sigurt!

Drejtues Madhor Skender Hita
Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

1 ORE ME PARE

Tension te Zogu i Zi: Tentohet të bllokohet qarkullimi, policia ndërhyn dhe shoqëron disa persona (VIDEO)

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
proteste-zogu i zi

TIRANË- Një protestë është zhvilluar këtë të hënë në Tiranë, në ditën e parë të vitit të ri shkollor, teksa kryeqyteti vijon të përballet me trafik të rënduar që prej orëve të para të mëngjesit. 

Protestuesit u mblodhën dhe tentuan të protestojnë te rrethrrotullimi i Zogut të Zi, në një nga akset më të ngarkuara të Tiranës. Por, forcat e policisë kanë ndërhyrë menjëherë për të shmangur bllokimin e qarkullimit, teksa gjatë ndërhyrjes janë shoqëruar disa protestues.

Pamjet e siguruara nga vendngjarja tregojnë momentin kur efektivët e policisë shoqërojnë disa prej protestuesve pranë gjimnazit “Qemal Stafa”, shumë pranë rrethrrotullimit të Zogut të Zi.

Protesta është zhvilluar në një moment kur trafiku në Tiranë është rënduar ndjeshëm për shkak të nisjes së vitit të ri shkollor, duke shtuar edhe më tej vështirësitë në lëvizjen e automjeteve. Aket kryesore të kryeqyetetit janë të 'paralizuara' për shkak të fluksit të lartë të qarkullimit të automjeteve. /ZËRI

2 ORE ME PARE

Shkollat hapin dyert, Tiranën e "paralizon" trafiku, kaos në akset kryesore

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
trafiku ne tirane

TIRANË- Dita e parë e vitit të ri shkollor ka sjellë  trafik të rënduar në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit. Që në orët e para të mëngjesit, fluksi i automjeteve është shtuar ndjeshëm, me prindër që kanë shoqëruar fëmijët në shkollë dhe qytetarë të tjerë që janë nisur drejt punës, duke vështirësuar qarkullimin në rrugët e kryeqytetit.

Situata më problematike paraqitet në Unazën e Madhe, nga zona e Liqenit deri në afërsi të Paskuqanit, ku është krijuar fluks i lartë automjetesh dhe lëvizja vijon me ritme të ngadalta. Trafik i rënduar raportohet edhe në zonën e Kthesës së Kamzës, duke shtuar vështirësitë në qarkullim në hyrje-daljet e kryeqytetit.

Situata pritet të vijojë të jetë problematike edhe gjatë orëve në vijim, për shkak të rikthimit të nxënësve në shkolla dhe fluksit të shtuar të automjeteve në rrugët e Tiranës. 

Këtë të hënë, 14 shtator, mbi 340 mijë nxënës u rikthehen këtë të hënë bankave të shkollës në të gjithë vendin, ndërsa rreth 25 mijë prej tyre e nisin për herë të parë rrugëtimin shkollor./ZËRI

 

2 ORE ME PARE

Viti i ri shkollor, Rama: Një vit të mbarë nxënësve, mësuesve dhe prindërve

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
pamjet e shkollave te publikuara nga rama

TIRANË- kryeministri Edi Rama ka uruar nisjen e vitit të ri shkollor sot, 14 shtator. Përmes një postimi në rrjete sociale, Rama uron një vit të mbarë shkollor për nxënësit, mësuesit dhe prindërit. Postimin e tij e ka shoqëruar me fotot e disa prej shkollave të rikonstruktuara këtë vit, duke theksuar, me standarte të reja.

"MIRËMËNGJES dhe me urimin për një vit të mbarë shkollor nxënësve, mësuesve, drejtuesve të shkollave, e padyshim edhe vetë prindërve që sot nisin fëmijët në shkollë, ju uroj të gjithëve një javë sa më të mirë. Disa prej shkollave të rilindura këtë vit, me kushte dhe standarde të reja për nxënësit dhe mësuesit.", shkruan Rama.

3 ORE ME PARE

Nis viti i ri shkollor, Kumbaro: Më shumë kushte bashkëkohore, siguri, dije dhe zbavitje

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
mirela kumbaro

TIRANË- Sot nis viti i ri shkollor 2026-2027 në arsimin parauniversitar. Në ditën e parë të vitit të ri shkollor, Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro, u është drejtuar me një videomesazh të gjithë nxënësve, duke u uruar suksese dhe një vit të mbarë shkollor.

Përmes videomesazhit, Kumbaro nënvizoi punën e Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve arsimore për sigurimin e kushteve më të mira të mësimdhënies dhe për krijimin e mjedisit të ngrohtë e nxitës në shkolla.

Kumbaro u ndal edhe te përdorimi i telefonave celularë gjatë orëve të mësimit, duke kërkuar nga nxënësit që ta shohin këtë masë si një mënyrë për të ruajtur përqendrimin në mësim.

​”Mirëmëngjes, këtë ditë të parë të shkollës të gjithë ju nxënës të dashur, mësues, prindër dhe gjyshër që sot shoqëroni nipër e mbesa në shkollë. Të dashur vogëlushë që sot nisni klasën e parë, që në fytyrë shfaqni buzëqeshje, por brenda jush keni shumë emocione dhe zemrat e vogla ju rrahin fort, kjo do të jetë një ditë që do ta mbani mend gjatë, ndoshta gjatë gjithë jetës suaj, prandaj ne të rriturit, mësuesit, drejtori i shkollës suaj, jemi kujdesur që kjo të jetë një ditë e bukur, e gëzueshme dhe ju të ruani kujtime të bukura prej saj.
Ju sot do të njihni shkollën tuaj, do të mësoni ku do të jetë klasa juaj, do të mësoni ku është palestra ku do të luani, oborri ku do të pushoni, laboratori inteligjent i shkollës ku do të mësoni të bëni gjëra të bukura, do të mësoni emrat e shokëve dhe shoqeve tuaj. Ne sot jemi së bashku dhe do të jemi së bashku kështu e çdo ditë të vitit shkollor.
​Ashtu siç do të jemi edhe me shokët tuaj më të rritur në klasë të dytë, të tretë e me radhë. Që kanë më shumë libra dhe i kanë detyrat pak më të vështira se sa ju. Suksese të dashur nxënës të gjithë arsimit parauniversitar nga parashkollori deri në maturë. Ne do të punojmë çdo ditë këtë vit që ju të keni kushte sa më të mira ku mësoni, laboratore, smartlabe dhe projekte ku ju mund të mësoni e shkëlqeni siç është festivali i shkencës, siç janë olimpiadat, siç është konkursi i gjuhës, apo konkursi i zërave të bardhë nëpër kore. Dhe mos u mërzisni nëse mësuesja ju kërkon të fusni celularin në kuti para se të futeni në mësim. Mos e quani një urdhër – ndalim. Është shumë e rëndësishme që e gjithë vëmendja dhe fokusi juaj të jetë në mësim. Suksesi dhe profesioni që do të keni nesër varet nga sa do të mësoni SOT! – veçanërisht ju maturantë të dashur që keni një vit plot sfida përpara dhe vetëm të mësuarit do të mund t’ju nxjerrë faqebardhë! Paçi një vit plot arritje në mësime dhe plot kreativitet gjatë programit pas shkolle, 408 shkolla do të jenë në këtë program për të krijuar edhe aktivitete të tjera, ku nxënësit mund të rrinë edhe pak më gjatë në shkollë, jo vetëm për të mësuar por edhe për t’u zbavitur. Suksese!””, tha ministrja.

4 ORE ME PARE

Sa kushton dita e parë e shkollës? Mesatarisht 34 mijë lekë për një fëmijë…

Sot nis viti i ri shkollor! Mbi 340 mijë nxënës, 25 mijë
foto ilustruese

TIRANË- Rikthimi në shkollë ka një paradoks: arsimi publik është falas, por hyrja në të nuk është. Një vrojtim i çmimeve në Tiranë tregon se, nëse një familje duhet të blejë nga e para çantën, kancelaritë, atletet dhe një garderobë bazë, shporta e shtatorit mund të arrijë rreth 37,200 lekë për një fëmijë. Për dy ose më shumë fëmijë, fatura bëhet e kripur…

Shtatori ka një mënyrë të vetën për t’i bërë shpenzimet e vogla të duken të mëdha. Një fletore kushton pak. Një laps po ashtu. Edhe një bluzë, e marrë veçmas, nuk duket si një goditje për buxhetin.

Por shkolla nuk nis me një fletore, një laps apo një bluzë. Ajo nis me një listë. Dhe listat kanë zakonin e pakëndshëm që, kur mblidhen, të prodhojnë një shifër krejt tjetër nga ajo që prindi kishte në mendje kur hyri në dyqan.

Në të njëjtën shportë përfundojnë fletoret, stilolapsat, lapsat me ngjyra, vizoret, kutia e lapsave, materialet e vizatimit, mbështjellëset e librave dhe dhjetëra artikuj të tjerë që kushtojnë nga disa dhjetëra deri në disa qindra lekë secili. Pastaj vjen çanta, zakonisht një nga blerjet më të mëdha të fillimvitit. Pas saj atletet, pantallonat, bluzat, veshjet sportive dhe, sipas shkollës, uniforma.

Dhe kjo është vetëm dita e parë. Rikthimi në shkollë nuk është një shpenzim i vetëm, por fillimi i një serie të vogël pagesash që vazhdojnë edhe pasi ka rënë zilja e parë. Një material që mësuesi e kërkon më vonë, një fletore tjetër, fotokopje, mjete për një projekt, një palë atlete që duhen vetëm për fizkulturë apo një veshje që mungonte në blerjet e para.

Në familjet ku ka dy apo tre fëmijë, këto shpenzime nuk shumëzohen gjithmonë në mënyrë të drejtëpërdrejtë, sepse disa gjëra mund të trashëgohen nga njëri fëmijë te tjetri, por presioni mbi buxhetin rritet ndjeshëm.

Për një familje që mund të ripërdorë çantën e vitit të kaluar, të blejë vetëm disa rroba ose të presë uljet, kostoja mund të jetë dukshëm më e ulët. Për një tjetër, ku fëmija ka ndryshuar masën e këmbës, çanta është konsumuar dhe garderoba duhet rifreskuar, shtatori nis praktikisht nga zero. Kështu, kostoja e shkollës nuk përcaktohet vetëm nga çmimi i artikujve, por shpesh edhe nga ekonomia e ripërdorimit.

Çanta nuk është më një çantë

Në tregun e artikujve shkollorë, diferenca mes asaj që është e nevojshme dhe asaj që duam, mund të matet me disa mijëra lekë. Çanta është ndoshta shembulli më i qartë. Te Ramovi’s, modelet e shkollës të publikuara online lëvizin rreth 1,200–3,000 lekë.

Te King Office, diapazoni zgjerohet, nga rreth 2,900 lekë për disa modele deri në 10,900–11,800 lekë për çanta me rrota apo modele të licencuara. Një çantë Seven e publikuar nga Zed kushton 6,990 lekë. Për përllogaritjen tonë kemi marrë 6,000 lekë si çmim orientues, një nivel që qëndron mes alternativave ekonomike dhe produkteve më të shtrenjta.

Hapësira e madhe mes 1,200 dhe afro 12 mijë lekëve tregon se çanta e shkollës nuk është më një produkt me një funksion dhe një çmim të përafërt. Në të njëjtën kategori tregtohen produkte që u drejtohen buxheteve dhe kërkesave krejt të ndryshme. Një familje mund ta zgjidhë këtë pjesë të listës me më pak se 2 mijë lekë, ndërsa një tjetër mund të shpenzojë pesë ose gjashtë herë më shumë vetëm për çantën.

Çmimi ndryshon sipas materialit, përmasave, ndarjeve të brendshme, strukturës ergonomike, pranisë së rrotave dhe aksesorëve shtesë. Por jo vetëm. Një pjesë e diferencës lidhet me markën dhe licencën. Personazhet e filmave dhe animacioneve, klubet sportive apo markat e njohura e zhvendosin produktin nga kategoria e një mjeti të zakonshëm shkollor drejt një artikulli ku paguhet edhe dizajni dhe emri.

Kjo ka ndryshuar edhe mënyrën se si blihet çanta. Për prindin, kriteret mund të jenë pesha, rezistenca dhe mundësia që të përdoret për më shumë se një vit. Për fëmijën, vendimi mund të nisë nga një kriter krejt tjetër: personazhi, ngjyra, modeli apo ajo që kanë zgjedhur bashkëmoshatarët. Në pikën ku takohen këto dy kërkesa përcaktohet edhe sa do të shpenzohet.

Për familjen, zgjedhja ka edhe një llogari tjetër: sa vite do të përdoret. Një çantë prej 6,000 apo 7,000 lekësh që reziston dy ose tre vite mund të rezultojë më ekonomike sesa një model më i lirë që duhet zëvendësuar çdo shtator. Por kjo llogari funksionon vetëm nëse çanta nuk bëhet e vogël, nuk dëmtohet dhe, ndoshta më e rëndësishmja për fëmijët, vazhdon t’u pëlqejë edhe vitin tjetër.

Fletoret janë të lira. Shporta jo

Kancelaritë janë shembulli më i mirë i aritmetikës së shtatorit. Një fletore 32-fletëshe kushton nga 25 lekë deri në 150 lekë, në varësi të cilësisë së flëtës dhe cilësisë së kapakut.  Kuletat e mjeteve shfaqen rreth 1000-2500 lekë, ndërsa paketa me lapsa apo stilolapsa mund të kushtojë nga disa qindra lekë deri në rreth 1,200 lekë, sipas modelit dhe markës.

Pastaj vijnë ngjyrat, vizoret, kompasi, mprehësja, goma, ngjitësi, gërshërët, fletorja e vizatimit. Secili zë duket i parëndësishëm. Së bashku, jo. Në shportën orientuese të “Monitor”, kancelaria dhe materialet bazë llogariten në rreth 11000 lekë. Kur shtohen elementë të tjerë, rritet pesha e pagesës së prindërve për një fëmijë.

Por, pjesa më e shtrenjtë e kthimit në shkollë mund të mos jetë fare ajo që futet në çantë. Është ajo që vishet. Një vrojtim te shitësit e veshjeve dhe këpucëve sportive tregon se një bluzë për fëmijë shitet shpesh rreth 1,500-3,600 lekë, ndërsa një palë atlete për fëmijë te Sport Vision lëviz gjerësisht: nga rreth 3,600 lekë për modele Champion, në 5,500-7,900 lekë për modele Nike dhe deri në 10,900 lekë për disa modele të segmentit më të lartë. Për adoleshentët, kostoja përfshin lehtësisht atlete 6,500-10,900 lekë.

Shporta orientuese e rikthimit në shkollë – 2026

Çmimet janë rishikuar më 11 shtator 2026 nga oferta të publikuara online në Tiranë dhe vëzhgime dyqanesh. Për artikujt me gamë të gjerë çmimesh është përdorur një vlerë përfaqësuese e segmentit të mesëm, jo mesatarja aritmetike e gjithë tregut. Totali supozon se artikujt kryesorë blihen nga e para; familjet që ripërdorin çantën, veshjet ose këpucët do të kenë një faturë më të ulët. Nuk llogariten librat, që për pjesën më të madhe të familjeve janë kosto e lartë.

Dy fëmijë? Një problem tjetër

Për një familje që nuk ka nevojë të zëvendësojë çantën, atletet apo të gjithë garderobën, fatura mund të jetë dukshëm më e ulët. Pikërisht kjo është arsyeja pse 34,200 lekët nuk duhen lexuar si një shumë që çdo prind do ta paguajë. Ato tregojnë se sa kushton një “reset” relativisht i plotë për fillimin e shkollës, me produkte të segmentit të mesëm.

Për dy fëmijë, e njëjta shportë tejkalon 60 mijë lekë, pra është më shumë se sa një pagë minimale. Po ta krahasojmë me pagën mesatare në vendin tonë, e cila sipas INSTAT është 90.119 lekë, shporta për një fëmijë është ekuivalente me rreth 38% të pagës mesatare; për dy fëmijë, pesha arrin në rreth 76% të saj.

Mënyra më e drejtpërdrejtë për të ulur faturën e shtatorit mbetet ripërdorimi: një çantë, një palë atlete apo veshjet që mund të përdoren edhe një vit tjetër mund ta ulin ndjeshëm shportën. Ndërsa familjet përpiqen të blejnë vetëm atë që duhet zëvendësuar, për tregtarët “Back to School” është një nga sezonet e konsumit, ku ofertat, setet dhe produktet e licencuara synojnë ta zgjerojnë listën përtej nevojave bazë./Monitor

Poll

MOS HUMB