Aktualitet

SPAK dhe policia zbarkojnë në Durrës, kontrolle në banesën e Aleksandër Lahos (Rrumit)

Laho, i njohur ndryshe edhe si “Rrumi i Shijakut” ndodhet në kërkim prej disa vitesh

E.K
SPAK dhe policia zbarkojnë në Durrës, kontrolle në
ALEKSANDER LAHO

DURRËS- Policia e Shtetit me urdhër të SPAK ka nisur një operacion në orët e para të mëngjesit të sotëm në Durrës, ku në qendër të kontrolleve ka qenë dhe banesa e Aleksandër Lahos, i njohur ndryshe dhe si Rrumi i Shijakut. Aktualisht aksioni është duke vijuar, ndërsa nuk dihen detaje nëse ka të arrestuar apo jo.

Aleksandër Laho prej disa vitesh ndodhet në kërkim, ndërsa kanë dështuar disa operacione për kapjen e tij.

Ndaj tij ka dy urdhër-arreste, një nga Prokuroria e Durrësit dhe një nga SPAK.

Në korrik të këtij viti Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë dhe dënoi me 3 vjet burg Lahon, dënim që zbret në 2 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar. Sipas vendimit të Apelit, Aleksandër Laho u deklarua fajtor për veprën penale të “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Laho akuzohet se i ka dhënë zyrtarit të Avokatit të Shtetit, Irgen Kërçuku, 600 mijë lekë dhe i kishte premtuar edhe 300 mijë lekë të tjera, për të mos apeluar një çështje pronësie që lidhej me tjetërsimin e 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.  Padia për këtë çështje, u depozitua në organin e akuzës nga Pal Seçuni, që në atë kohë ankohej për vendimet e Hipotekës së Durrësit, për tjetërsimin e pronës. 

Emri i Aleksandër Lahos është përmendur edhe më parë në atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja në vitin 2019. Ai mbeti i plagosur nga plumbat. Në atë kohë, atij iu sekuestrua telefoni, ku u gjet një video në të cilën komunikonte me një zyrtar te Avokaturës së Shtetit për rastin korruptiv. /ZËRI

Poll

MOS HUMB