TIRANË- ZËRI mëson detaje të reja nga aksioni i agjentëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, për ekzekutimin e masave të sigurisë në lidhje me hetimet për tenderat e Agjensisë Kombëtare të Informacionit (AKSHI). Gjatë kontrolleve të BKH-së në banesën e biznesmenit Ermal Beqiri, burimet bëjnë me dije se nuk është gjetur asnjë prej pjestarëve të familjes, çka shton dyshimet se ai mund të jetë larguar jashtë vendit, përpara lëshimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Po ashtu nuk dihet ende nëse është ekzekutuar masa e arrestit me burg për Ergys Agasin, ndërsa për drejtoreshën e AKSHI, Mirlinda Karçanaj është dhënë masa e arrestit të shtëpisë.
Ermal Beqiri, rezulton pronar i kompanisë “Soft & Solution”, ku dyshohet se biznesmeni ka përfituar shuma të konsiderueshme nga procedurat e kontestuara.
Ditët e fundit, hetuesit kanë thirrur dhe pyetur rreth 25 zyrtarë të AKSHI-t, kryesisht anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave.
Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për herë të parë në vitin 2021, kur ai u thirr si ekspert në procesin gjyqësor për korrupsion ndaj Ilir Metës. Beqiri kreu ekspertizën teknike mbi videon e njohur si “Meta–Prifti”, ku ish-zv.kryeministri dhe Dritan Prifti diskutonin për ndarje fondesh në shumën 700 mijë euro./ZËRI