Aktualitet

'Armët nga Afrika, paketohen në Shqipëri'/ SPAK kontrolle në banesën e Arjeta Pucës, Ardi Veliut, i sekuestrohet telefoni

Hetimet po zhvillohen pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes Kayo.

F.I
'Armët nga Afrika, paketohen në Shqipëri'/ SPAK
Ron Yeffet, Ardi Veliu dhe Arjeta Puca

TIRANË-Pas kontrollit në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në fshatin Pëllumbas dhe kontrolleve në Ministrinë e Mbrojtjes, mësohet se veprimet e SPAK janë shtrirë edhe në banesat e Ardi Veliut, administratorit të KAYO dhe Arjeta Pucës, pronare e kompanisë TIMAK. Në kuadër të hetimit administratorit të kompanisë KAYO, Ardi Veliut, i është sekuestruar telefoni.

Hetimet po zhvillohen pas përgjimeve të publikuara nga ish-zv.kryeministri në arrati Arben Ahmetaj, për trafik armësh përmes Kayo. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesën e biznesmenit izraelito-amerikan Ron Yeffet në periferi të Tiranës dhe në Ministrinë e Mbrojtjes drejtuar nga Ermal Nufi, ku janë sekuestruar një sërë dokumentesh lidhur me praktikën e tenderëve.

Ahmetaj ngriti një sërë akuzash, mes tyre për një skemë të trafikut ndërkombëtar të armëve, ku përfshihet Shqipëria.  Në qendër të denoncimeve të Ahmetajt ishte biznesmeni amerikano-izraelit Ron Yeffet dhe kompania "KAYO", ku, sipas përgjimeve të publikuara nga ish.zv.kryeministri, në biseda diskutohet mënyra se si mund të anashkalohen garat dhe procedurat e tenderimit përmes krijimit të kompanive të tipit KAYO në Shqipëri.

Në lidhje me akuzat Veliu ka deklaruar se deri më tani përfshirja e KAYO-s është zero, pasi nuk ka asnjë lloj mundësie qoftë dhe teorike që t’i futet këtij procesi. Administratori i KAYO shpjegoi edhe çështjen e aksioneve ku nga 45% të parashikuara fillimisht tani ka 20% të aksioneve ndërsa 80% i ka kompania TIMAK, në të cilën është aksioner edhe biznesmeni izraelito-amerikano-shqiptar Ron Yeffet.

Nga ana tjetër edhe pronarja e kompanisë “TIMEK” dhe sipërmarrësja shqiptare, Arjeta Puca gjatë një interviste pas akuzave të ngritura nga Ahmetaj, u shpreh se marrëveshja mes izraelitit Ron Yeffet parashikon një investim prej rreth 70 milionë eurosh. Puca tha se investimi ka nisur dhe se Yeffet ka sjellë projekte të tjera që, sipas saj, mund ta çojnë aktivitetin e kompanisë në vlera shumë më të mëdha në të ardhmen.

Poll

MOS HUMB