SHKODËR-SPAK ka ndërmarrë një operacion në Shkodër dhe Tiranë, në kuadër të një procedimi të ndjekur nga prokurori Andan Xholi. Deri më tani, raportohet se në Shkodër është arrestuar Bledar Cafi, me rrezikshmëri të lartë shoqërore ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat dhe personat e tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Ndërkohë në zbatim të vendimit të GJKKO-së, janë ushtruar kontrolle në ambientet që i përkasin 43-vjeçarit Endrit (Indrit) Dokle, i lindur në Kukës dhe banues në Tiranë. Dokle figuron person në kërkim që prej vitit 2024 me masë sigurie “Arrest me burg” për të njëjtat akuza që lidhen me trafikun e narkotikëve dhe grupin e strukturuar kriminal.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Muri i Lartë”.
Operacioni nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, nën drejtimin e SPAK.
Kapet dhe vihet në pranga një shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi tjetër, i cili gjatë operacionit nuk u gjet në banesë.
Strukturat operacionale dhe hetimore të Policisë së Shtetit, konkretisht Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve, DVP Shkodër dhe BKH, nën drejtimin e SPAK, në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme SPAK dhe të vendimit të Gjykatës, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muri i Lartë”, me qëllim ekzekutimin e masës së sigurimit personal ndaj një shtetasi, si dhe kryerjen e kontrolleve për lokalizimin dhe kapjen e një shtetasi tjetër, i shpallur në kërkim.
Në kuadër të operacionit, në Shkodër u bë e mundur kapja dhe arrestimi i shtetasit B. C., 50 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Kapja dhe arrestimi i tij u bë në orët e para të mëngjesit të sotëm, në banesën e tij në Shkodër. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 25.09.2026, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Po në zbatim të vendimit të GJKKO-së, u ushtrua kontroll në vendet që i përkasin shtetasit në kërkim E. D., alias I. D., 43 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë, person në kërkim që prej vitit 2024, për të cilin GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Grup i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Gjatë kontrolleve, ky shtetas nuk u gjet dhe vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e tij.