Aktualitet

Nga shiu te dielli, ndryshon moti për fundjavën: Temperaturat ngjiten deri në 28°C

Gjatë orëve në vijim pritet një përmirësim gradual i situatës ndërsa për fundjavën parashikohet mot kryesisht i kthjellët.

M.K.
Nga shiu te dielli, ndryshon moti për fundjavën: Temperaturat ngjiten
foto ilustruese

TIRANË- Pas reshjeve dhe luhatjeve të temperaturave gjatë këtyre ditëve, fundjava pritet të sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike në vend. Sipas sinoptikanit Elvi Jahaj moti do të jetë më i qëndrueshëm me më shumë intervale me diell dhe temperatura që në mesditë do të arrijnë deri në 27-28°C.

Parashikimi vjen pas një periudhe me kushte të paqëndrueshme atmosferike, ku në zona të ndryshme të vendit janë shfaqur vranësira dhe reshje shiu të shoqëruara lokalisht edhe me shtrëngata.

Gjatë orëve në vijim pritet një përmirësim gradual i situatës ndërsa për fundjavën parashikohet mot kryesisht i kthjellët. Vranësirat do të jenë të pranishme herë pas here, por pa ndikuar ndjeshëm në karakterin përgjithësisht të qëndrueshëm të motit.

Edhe fillimi i javës së ardhshme pritet të ruajë të njëjtën tendencë me kushte atmosferike përgjithësisht të stabilizuara.

Sa i përket temperaturave, mëngjeset do të jenë relativisht të freskët me vlera minimale që pritet të luhaten nga 10 deri në 14°C. Ndërkohë, gjatë mesditës temperaturat do të shënojnë një rritje të ndjeshme, duke arritur deri në 27-28°C.

Era pritet të fryjë kryesisht me intensitet të ulët me shpejtësi rreth 4-5 m/s./ZËRI

Poll

MOS HUMB