Aktualitet

Studentët në protestë, 13-tetori i Tiranës: 'Digjet' kryeqyteti, tym e trazira në rrugë, 40 të shoqëruar, 20 të lënduar

Deri më tani raportohet për 40 të shoqëruar dhe 20 të lënduar: 7 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë, njëri përfaqësues i trupit diplomatik. 

F.I
Studentët në protestë, 13-tetori i Tiranës:
pamje nga protesta

TIRANË-Të rinj të revoltuar, biznese të shkatërruara, zjarr e thirrje nëpër rrugë, sulme në institucine, përplasje me Policinë-kjo ishte panorama e Tiranës gjatë 9 orëve të protestës të studentëve më 13 tetor. Studentët kërkojnë kushte më të mira, më shumë mbështetje dhe mundësinë për të ndërtuar një të ardhme në vendin e tyre, pa u përballur me pasigurinë dhe mungesën e perspektivës.

Brenda pak minutash ajo që filloi si një tubim paqësor në mesditën e një dite më parë, para Ministrisë së Arsimit u kthye në një skenë kaosi, me përplasje mes studentëve dhe efektivëve të Policisë. 

Studentët qëlluan me gurë, vezë dhe sende të forta në drejtim të ministrisë, duke thyer xhamat ballore të godinës. Disa të rinj shkulën kangjëllat e trotuarit dhe me to hapën me forcë portën e Ministrisë. Policia iu është përgjigjur me gaz lotsjellës për t'i shpërndarë, ndërsa studentët bënë rezistencë.

Studentët nuk u ndalën dhe vijuan qëndresën duke bllokuar rrugët kryesore të Tiranën. Pamjet ekskluzive të siguruara nga ZËRI treguan momentet kur studentët hynë brenda ambienteve të filialit të IuteCredit dhe i vunë zjarrin. Më pas mësynë në katin e parë të Bashkisë së Tiranës, kantierë ndërtimi, shkulën tabelat në rrugë, hekurat e tullat e trotuarëve. 

Gjatë marshimit të të rinjëve 'lufta' me gurë e gaz lotësjellës mes efektivëve nuk mungoi. Deri më tani raportohet për 40 të shoqëruar dhe 20 të lënduar: 7 efektivë policie, 2 gazetarë, 8 protestues dhe 3 kalimtarë, njëri përfaqësues i trupit diplomatik. 

Ndërkohë Policia e Shtetit ka pezulluar nga detyra katër punonjës policie dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, pas publikimit të një videoje ku shfaqet një 19-vjeçar me këmbë të thyer, teksa shoqërohet nga efektivët pranë Parlamentit.  Përmes një reagimi zyrtar, Policia bëri të ditur se ka nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe mënyrën e trajtimit të të riut nga punonjësit e saj. Gjithashtu, është ngritur një grup i posaçëm për të analizuar veprimet e punonjësve të Policisë nga fillimi deri në përfundim të tubimit.

Sot studentët kanë njoftuar se do të rikthehen sërish në shesh. Tubimi i radhës është thirrur për nesër, më 14 tetor, në orën 14:00, para Ministrisë së Arsimit.

Poll

MOS HUMB