
BULQIZË- Një atentat u planifikua mesditën e sotme ndaj Luan Tërnovës. Një person, ende i paidentifikuar, qëlloi me armë zjarri ndaj tij dhe më pas u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ishte pikërisht "shënjestra" e atentatit, Luan Tërnova, personi që lajmëroi Policinë e Shtetit lidhur me atë që sapo i kishte ndodhur teksa po dilte nga xhamia pas faljes së namazit të të premtes. Por edhe pse u njoftuan në kohë reale, Policia ka mundur që të gjejë vetëm një motor të djegur në aksin rrugor Qafa e Buallit-Klos, ndërsa autori është larguar në drejtim të paditur.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë ka nisur hetimet lidhur me ngjarjen, por është ende e paqartë dinamika sesi ka ndodhur sulmi me armë zjarri. Aktualisht, Policia ka nxjerrë vetëm një njoftim paraprak, tek i cili lajmëron se shumë shpejt do të dalë me një informacon më të plotë lidhur me ngjarjen.
Bulqizë/Informacion paraprak
Mesditën e sotme, shtetasi L.T, ka njoftuar sallën operative se në qytetin e Bulqizës, një person i paidentifikuar ka qëlluar me armë zjarri, por pa shkaktuar dëmtime. Nga kontrolli i territorit, në aksin rrugor Qafa e Buallit-Klos, është gjetur i djegur një motomjet që dyshohet të jetë përdorur nga autori i këtij rasti. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen hetimet për zbardhjen dhe rrethanat e këtij rasti. Në përfundim të veprimeve të para hetimore do të japim informacion më të plotë.
Por kush është Luan Tërnova?
Luan Tërnova nuk është emër i panjohur për autoritetet policore në vend. Tërnova është arrestuar në vitin 2016 së bashku me nënën e tij për armëmbajtje pa leje. Në të shkuarën ai sihte dënuar për vjedhje banesash në Francë dhe pasi kishte dalë nga burgu ishte deportuar në Shqipëri. Luan Tërnova është dhe vëllai i Fadil Tërnovas, i njohur si i forti i Bulqizës me histori të ngjashme kriminale. Fadil Tërnova konsiderohej si një prej të fortëve të Bulqizës, që prej vrasjes që ndodhi në vitin 2009, e cila ndodhi si pasojë e një konflikti të vjetër me familjen Shehu, një prej djemve të së cilës njihej si një biznesmen i fuqishëm i kromit në zonë. Kështu, në vitin 2009, vëllezërit Shehu tentuan të vrisnin Fadil Ternovën, po nga kjo përleshje mbeti i vrarë Shefqet Shehu dhe u plagos rëndë Fadil Ternova. Ky i fundit, në vitin 2017 ra pre e një atentati ku shpëtoi pa u prekur nga plumbat. Ai e dinte se personi që e sulmoi me armë zjarri ishte djali i vogël i familjes Shehu dhe katër ditë pas atentatit i doli para atij dhe e kërcënoi. Më pas, Tërnova u shpall në kërkim, dhe nga arratia deklaroi se nuk dorëzohej, pasi nuk kishte besim tek drejtësia shqiptare. Por u vendos në pranga në korrik të 2020. Nuk dihet nëse atentati që dështoi ndaj të vëllait sot, ka lidhje me të shkuarën e tij, por është një nga pistat që po hetohet nga Policia e Shtetit./ZËRI