Aktualitet

Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, banorët kundër impianteve fotovoltaike

Banorët u shprehën hapur kundër çdo vendimi që parashikon dhënien në përdorim të këtyre tokave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

zh.ll
Tensione në Këshillin Bashkiak të Bulqizës, banorët
mbledhja e keshillit bashkiak bulqize

BULQIZË- Këshilli Bashkiak i Bulqizës u mblodh sot për të diskutuar dhënien në përdorim të tokave pyjore dhe kullosore për impiante fotovoltaike, një çështje që shkaktoi tensione të forta. Mbledhja u shoqërua me tensione të forta, pasi banorët e Gjoricës së Poshtme shprehën kundërshtimin e tyre, duke paralajmëruar pasoja serioze për kullotat dhe aktivitetet bujqësore. Banorët u shprehën hapur kundër çdo vendimi që parashikon dhënien në përdorim të këtyre tokave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike.

Këto projekte, sipas banorëve, përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për jetesën e komunitetit lokal, pasi prekin kullotat e përbashkëta që përdoren për blegtorinë dhe ndikojnë negativisht edhe në aktivitetet bujqësore. Ata theksuan se humbja e këtyre sipërfaqeve do të sillte pasoja të rënda ekonomike dhe sociale për familjet që varen nga këto burime.

Ata akuzuan institucionet vendore për mungesë konsultimi paraprak, ndërsa refuzuan që të largoheshin nga salla, duke përshkallëzuar edhe më shumë tensionet.

Gjatë mbledhjes u shfaqën edhe përplasje mes opozitës dhe drejtuesve të këshillit, lidhur me kërkesën për shkarkimin e sekretarit Klodian Reçi, i akuzuar për shkelje procedurash dhe korrupsion. Ndaj këtij të fundit, këshilltarët e opzitës ngritën akuza të drejtpërdrejta për korrupsion, tejkalim kompetencash dhe shkelje të procedurave ligjore, veçanërisht në mënyrën se si janë organizuar dëgjesat publike për dhënien në përdorim të sipërfaqeve pyjore dhe kullosore.

Sakaq, opozita kërkoi që mocioni për shkarkimin e sekretarit të hidhej menjëherë në votim, përpara se të niste shqyrtimi i rendit të ditës. Por, kërkesa u refuzua nga kryetari i Këshillit Bashkiak, Arben Çupi, i cili argumentoi se çështja nuk mund të trajtohej në atë moment dhe se do të shtyhej për mbledhjen e radhës.

Nga ana tjetër, në reagimin e tij, Klodian Reçi mohoi akuzat dhe deklaroi se gjatë dëgjesave të organizuara banorët kishin shprehur kundërshtimin e tyre, ndërsa sipas tij nuk ishin mbledhur as firma mbështetëse dhe as dokumente që të tregonin dakordësi të komunitetit.

Brenda pak javësh Bashkia Bulqizë ka dhënë me ankand mbi 100 hektarë tokë për projekte energjetike. Ndërsa në vijim pritet të rritet edhe më tej pasi janë planifikuar edhe një sërë tokash të tjera për tu dhënë me këtë qëllim./ZËRI

Poll

MOS HUMB