Aktualitet

Tensione në seancën për Metën! Ish-presidenti debat me gjyqtarin, gjobiten Kryemadhi dhe avokati Cakrani

Meta është shprehur se po tentohet të krijohet konfuzion në media dhe se, sipas tij, gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duke kërkuar të japë më parë sqarimet e tij mbi seancën e kaluar.

F.I
Tensione në seancën për Metën! Ish-presidenti debat me
Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi

TIRANË-Në GJKKO po zhvillohet seanca e radhës për gjyqin ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Seanca është shoqëruar me tensione dhe debate, ku Meta kërkoi të bëjë kundërshtimet e tij, pasi Prokurori i SPAK, Sotir Kllapi relatoi të dhënat për episodin e lobimit. Sipas Kllapit, kontrata e lobimit të LSI-së me kompaninë GSIS është raportuar në sistemin amerikan FARA. Prokurori deklaroi se nga shuma totale prej 416 mijë dollarësh, LSI kishte paguar përmes tre faturave vetëm 93 mijë dollarë. Kryetari i trupit gjykues nuk e lejoi Metën të flasë, pasi duhet të përfundojë prokurori.

Meta është shprehur se po tentohet të krijohet konfuzion në media dhe se, sipas tij, gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e paanshme, duke kërkuar të japë më parë sqarimet e tij mbi seancën e kaluar.

“Kjo bëhet qëllimisht që të konfuzohet media që të mos kuptohet se po bëhet mashtrim. Mos më ndërprisni fare. Prokurori e nisi me seancën e kaluar. Rregullat i di mirë unë, gjykata duhet të jetë edhe e pavarur edhe e paanshme. Dua ti jap një përgjigje për seancën e kaluar dhe pastaj vazhdojmë sipas asaj që ka”, -tha Meta.

Në vijim, Meta është shprehur: “Jeni ekstremisht i njëanshëm… jam këtu si terrorist ukrainas”, duke ngritur akuza për njëanshmëri ndaj trupës gjykuese.

Nga ana e tij, gjyqtari Bani ka ndërhyrë duke theksuar se gjykata përcakton rendin e fjalës dhe se duhet të respektohen rregullat e procesit, duke i kërkuar prokurorisë të mbyllë parashtrimet përpara mbrojtjes. Debati ka vijuar më tej, ku Meta ka përsëritur akuzat për njëanshmëri, ndërsa gjyqtari i ka kërkuar që, nëse ka pretendime, të paraqesë kërkesë për përjashtim të trupës gjykuese.

Ndërkohë gjykata ka vendosur të gjobisë me nga 10 mijë lekë Monika Kryemadhin dhe avokatin e Ilir Metës, Kujtim Cakrani, pasi këta dy të fundit ndërhynë pa leje gjatë procedurës gjyqësore.

Poll

MOS HUMB