
TIRANË- Pas një aksioni "ndjekjeje" është kapur në Tiranë Ilir Kociaj alias Ilir Koçiaj, i konsideruar kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare. Pasi u pikas nga Policia, 59-vjeçari tentoi që të largohej me mjetin e tij tip "Audi Q5", por nuk ia doli dot dhe përfundoi në pranga. Kociaj, i dënuar 18 vjet burg, ishte shpallur në kërkim nga Policia e Elbasanit për trafik të lëndëve narkotike. Ndaj, 59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme në mënyrë që 59-vjeçari të përballet me drejtësinë.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Hierarkia”. Kapet kreu i një organizate kriminale ndërkombëtare, shtetas me rrezikshmëri shoqërore, i dënuar me 18 vjet burgim. 59-vjeçari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë, me një automjet tip “Audi Q5” që u sekuestrua nga Policia.
Si rezultat i një pune të mirorganziuar informative dhe operacionale, shërbimet e Seksionit të Kërkimit të Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacione Speciale dhe Kërkime, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan me sukses operacionin “Hierarkia”, gjatë të cilit u vu në pranga shtetasi: -Ilir Kociaj (Koçiaj), 59 vjeç.
59-vjeçari, u kap në flagrancë teksa tentonte të largohej me automjetin e tij, në autostradën “Tiranë–Elbasan”. Shtetasi Ilir Kociaj (Koçiaj) ishte shpallur në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, në zbatim të vendimit të Gjykatës së Apelit Tiranë për njohjen e vendimit të Gjykatës së Firences, Itali, që e dënon atë me 18 vite burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në kuadër të një organizate kriminale. 59-vjeçari iu dorëzua Policisë së Elbasanit, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme./ZËRI