TIRANË-Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar lidhur me udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë për terapinë hormonale, duke shprehur shqetësim të thellë për përmbajtjen, veçanërisht pjesën ku parashikohet që terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç dhe, në raste të veçanta, edhe nga mosha 14 vjeç.
KMSH shpreh kundërshtimin ndaj çdo qasjeje që, sipas saj, hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të hershme, duke theksuar se të miturit nuk duhet të përballen me procese që sjellin pasoja afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur identiteti dhe personaliteti janë ende në formim. Sipas Komunitetit Mysliman, udhëzime të tilla përbëjnë një çështje tepër delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik të fëmijëve dhe adoleshentëve.
REAGIMI:
Qëndrim publik mbi udhëzimin për terapinë hormonale te të miturit
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po ndjek me shqetësim të thellë debatin publik të krijuar pas publikimit të udhëzimit të Ministrisë së Shëndetësisë në tërësi, dhe në veçanti pjesën, ku ndër të tjera thuhet: “Terapia mund të nisë nga mosha 16 vjeç, ndërsa në raste të veçanta, mund të konsiderohet edhe nga mosha 14 vjeç.”
Ashtu sikurse kemi qëndruar publikisht kundër ligjit të ashtuquajtur për barazinë gjinore, i mbetemi koherent qëndrimit kundër edhe derivateve të tjera të tij, siç është rasti konkret. Udhëzime të tilla përbëjnë një çështje jashtëzakonisht delikate, që prek drejtpërdrejt zhvillimin fizik, emocional dhe psikologjik sidomos të fëmijëve dhe adoleshentëve tanë. Për këtë arsye, çdo hap institucional në këtë drejtim duhet të trajtohet me kujdes maksimal, përgjegjësi të lartë dhe ndjeshmëri ndaj vlerave të shoqërisë shqiptare.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh kundërshtimin e tij ndaj çdo qasjeje që hap rrugë për ndërhyrje hormonale në mosha të tilla. Ne besojmë se të miturit nuk duhet të vendosen përballë proceseve me pasoja të thella dhe afatgjata për jetën e tyre, në një periudhë kur personaliteti dhe identiteti i tyre janë ende në formim.
Fëmijët kanë nevojë për mbrojtje, orientim, mbështetje familjare dhe kujdes profesional të përgjegjshëm. Shoqëria jonë nuk duhet të normalizojë praktika që krijojnë paqartësi dhe tension social në raport me natyrën njerëzore, familjen dhe edukimin e brezave të rinj.
KMSH i bën thirrje institucioneve shtetërore, profesionistëve të shëndetit, prindërve dhe gjithë aktorëve shoqërorë që çështje të tilla të mos trajtohen me nxitim apo nën ndikimin e trendeve ideologjike të përkohëshme, por me maturi, dialog të gjerë dhe përgjegjësi kombëtare. Ne qëndrojmë pranë shqetësimit të shumë prindërve dhe besimtarëve, të cilët kërkojnë ruajtjen e vlerave familjare, mbrojtjen e fëmijëve dhe respektimin e ndjeshmërisë morale e kulturore të shoqërisë sonë.
Urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë
Ministria e Shëndetësisë miratoi më 28 prill udhëzimin, i cili përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale, e cila do të ofrohet në QSUT dhe do të mbulohet nga fondet publike. Trajtimi do të jetë i aksesueshëm për burrat transgjinorë që kalojnë nga vajzë në burrë përmes hormonit të testosteronit, si dhe për gratë transgjinore që kalojnë nga burrë në grua përmes estrogjenit dhe anti-androgjenëve. Në udhëzues thuhet se trajtimi hormonal nuk rekomandohet para pubertetit, por në raste të caktuara mund të merret në konsideratë edhe përpara moshës 16-vjeçare. Dokumenti përmend se në literaturën ndërkombëtare ekzistojnë raste të publikuara edhe për grupmoshat 13.5 deri në 14 vjeç./ZËRI