ELBASAN- Këshilli Bashkiak i Cërrikut ka abstenuar me shumicë votash ndaj propozimit të Partisë Socialiste për Reformën Territorale, e cila parashikon shkrirjen e Bashkisë Cërrik dhe Bashkisë Belsh dhe bashkimin e tyre me Bashkinë e Elbasanit.
Në votim, 13 këshilltarë abstenuan, 7 votuan kundër, ndërsa vetëm 2 këshilltarë votuan pro propozimit. Sipas këtij votimi, propozimi për bashkimin e Cërrikut me Elbasanin nuk mori mbështetjen e shumicës së Këshillit Bashkiak. Megjithatë, në përfundim nuk u dha një sqarim zyrtar nëse rezultati konsiderohet kundër apo pro draftit.
View this post on Instagram
Ndërkohë, disa ditë më parë, Këshilli Bashkiak i Elbasanit miratoi me shumicë votash propozimin që parashikon bashkimin e Bashkisë Elbasan me bashkitë Cërrik dhe Belsh.
Drafti i depozituar nga Partia Socialiste parashikon shkrirjen e 15 bashkive në vend, duke e çuar numrin e bashkive nga 61 në 46. Sipas draftit të PS-së, Cërriku dhe Belshi do të bëhen qytete përbërëse të Bashkisë së Elbasanit, duke humbur statusin e bashkive më vete. Nga ana tjetër, drafti i Partisë Demokratike parashikon një ndarje territoriale me 100 bashki, 12 qarqe dhe 6 rajone./ZËRI