
SARANDË- Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI) bëri të ditur se pika e karburantit “AN Oil”, në Sarandë, kishte qenë jashtë funksionit për rreth tre muaj dhe ndodhej në proces rihapjeje. Sipas verifikimeve paraprake të inspektorëve, në momentin e shpërthimit në objekt nuk kishte depozita gazi apo karburanti.
Në njoftimin publik, mbrëmjen e djeshme, ISHTI bën me dije se vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave në terren, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
"Karburanti që shpërtheu sot në Sarandë ka qenë jashtë funksionit prej rreth tre muajsh dhe ndodhej në proces rihapjeje. Ky është rezultati i verifikimeve paraprake të kryera në terren nga grupet e inspektimit të Inspektoratit Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), menjëherë pas ngjarjes.
Në pikën e karburantit, nuk ka pasur depozita gazi apo karburanti në objekt në momentin e ngjarjes.
ISHTI vijon mbledhjen dhe verifikimin e të dhënave në terren, në bashkëpunim me strukturat përkatëse, për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet e ngjarjes.
Duke qenë se objekti ka qenë jashtë funksionit prej rreth tre muajsh dhe ndodhej në proces rihapjeje, në këtë fazë nuk rezulton asnjë përgjegjësi që mund t’i atribuohet ISHTI-t për ngjarjen e ndodhur.", shkruhet në njoftim.
Shpërthimi ndodhi mesditën e djeshme në pikën e karburantit “AN Oil”, në rrugën “Skënderbeu” në Sarandë. Nga ngjarja u plagosën dy punonjës, të cilët u transportuan në urgjencën e spitalit të Sarandës. Fatmir Pema, 39 vjeç, pësoi djegie në trup dhe u transportua me helikopter drejt Tiranës, për të marrë trajtim të specializuar. Punonjësi tjetër, Florian Bica, 27 vjeç, u dërgua në spital për shkak të tronditjes së shkaktuar nga shpërthimi.
Rasti vjen 20 ditë pas shpërthimit në karburantin “Eida”, në zonën e Brrylit në Tiranë mëngjesin e 9 shtatorit, ku tre punonjës mbetën të lënduar. Policia dyshoi se kishte shpërthyer një bombol gazi në momentin që një automjet po furnizohej. Ndërkohë, zjarrfikësit dhe Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ngritën dyshime të tjera, duke përfshirë mundësinë që zjarri të ketë nisur në zyrat e karburantit ose nga një automjet brenda territorit të stacionit.
Dy rastet brenda një muaji ngrejnë alarmin për sigurinë e karburanteve, ndërsa hetimet pritet të zbardhin shkakun e ngjarjeve./ZËRI