Aktualitet

Tjetërsimi i pronave dhe vrasja e Edmir Bregut, GJKKO lë në burg Avdylajt, vëllanë e “Rrumit” dhe atë të deputetit të PS

Të arrestuarit rezultojnë të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, në vrasje me pagesë dhe në tjetërsim të pronave përmes falsifikimit të dokumenteve.

zh.ll
Tjetërsimi i pronave dhe vrasja e Edmir Bregut, GJKKO lë në burg
edmir bregu-astrit avdylaj-enea kume-rrumi i shijakut

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë "arrest me burg" për 4 të arresuarit gjatë operacionit të zhvilluar dy ditë më parë në Durrës. Të arrestuarit rezultojnë të përfshirë në një grup të strukturuar kriminal, në vrasje me pagesë dhe në tjetërsim të pronave përmes falsifikimit të dokumenteve.

Masat e sigurisë:

1. Vullnet Muça, vëllai i Rrumit, Aleksandër Lahos (arrest në burg)
2. Enea Kume, vëllai i deputetit Loer Kume (arrest në burg)
3. Vlash Brahja (arrest në burg)
4. Astrit Avdylaj alias Astrit Balliu (në burg për operacionin “Revanshi”) (arrest në burg)
5. Edlira Avdylaj (ndalim i daljes jashtë shtetit)

Sipas dosjes së siguruar nga SPAK, hetimi ndaj këtij grupi është ndarë në dy çështje të veçanta, një që lidhet me aktivitetin e grupit Avdylaj dhe tjetra që përfshin “Rumin e Shijakut” (Aleksandër Laho). Ky i fundit dhe nipi i tij, Aldo Avdylaj janë të shpallur në kërkim së bashku me 2 të tjerë, Alfred Doka, Agron Bejdolli.

Aksioni i policisë në Durrës, me urdhër të SPAK u zhvillua dy ditë më parë. Gjatë këtij aksioni, SPAK ka zbuluar autorët e vrasjes së 32-vjeçarit Edmir Bregu në Durrës. Bëhet fjalë për ngjarjen e 21 janarit të vitit 2021 kur u qëllua dy herë në kokë dhe në gjoks sapo zbriti nga makina në lagjen 16 të qytetit bregdetar. 

Vrasja e Edmir Bregut u porosit nga Astrit Avdylaj, për hakmarrjen për tentativën e ekzekutimit të nipit të tij. SPAK thotë se drejtues dhe koordinator i grupit të strukturuar kriminal, dyshohet të jetë Aldo Avdylaj, si ndihmës dyshohet të jetë Enea Kume(vëllai i deputetit të PS), ndërsa si ekzekutor dyshohet të jenë Alfred Doka dhe shtetasi E.D ( të dy në kërkim).

Në lidhje me vrasjen e Bregut, në pranga është vendosur vetëm Enea Kume, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste, Loer Kume. Astrit Avdylajt masa e arrestit do i komunikohet në burg, pasi ndodhet në qeli edhe për operacionin “Revanshi”. 

Gjatë aksionit u lëshuan urdhër-arreste edhe për Aleksandër Lahon allias Rrumi i Shijakut, të cilit u sekuestruan edhe pasuri të përfitura përmes dokumenteve të falsifikuara. Bëhet fjalë për 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj në Durrës, që rezulton se është përfituar me dokumente të falsifikuara, të kryera nga një grup kriminal i drejtuar nga "Rrumi i Shijakut". 

Sipas hetimeve, rezulton se Aleksandër Laho, në rolin e krijuesit, drejtuesit dhe organizatorit, ka krijuar një grup të strukturual kriminal, me synimin për kryerjen e veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve, ku pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal janë shtetasit; V.M, (alias V.K); A.B, V.B dhe shtetas të tjerë të paidentifikuar.

I njohur edhe me nofkën "Rrumi i Shijakut", Aleksandër Llaho është një personazh i njohur për drejtësinë dhe i shpallur në kërkim nga policia për pengmarrjen e vëllezërve Beqiraj dhe tjetërsimin e pronave në bregdetin e Gjirit të Lalzit. Ai u plagos dhe në atentatin ku mbeti i plagosur dhe deputeti i Durrësit, atëherë prokuror, Arian Ndoja./ZËRI

Poll

MOS HUMB