FIER- Këngëtari Erind Xhaferi ka mbërritur në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për t’u njohur me masën e sigurimit personal.
View this post on Instagram
Xhaferi u arrestua nga Policia e Fierit pasi dyshohet se ka kryer veprime të turpshme pranë ambienteve të shkollës së Muzikës “Jakov Xoxa”. Ndaj tij është ngritur dyshimi për kryerjen e veprës penale të parashikuar nga neni 108 i Kodit Penal, “Vepra të turpshme”.
Sipas të dhënave paraprake, rasti është denoncuar nga nxënëse të shkollës, të cilat kanë njoftuar policinë përmes një telefonate. Pas marrjes së informacionit, shërbimet e Policisë së Fierit kanë verifikuar denoncimin dhe kanë ndërhyrë duke ndaluar këngëtarin.
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë ligjore. Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme./ZËRI