TIRANË- Ermal Beqiri pritet të dalë këtë të martë para Gjykatës Penale të Amiens në Francë, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, duke i hapur rrugë procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë.
44-vjeçari, i shpallur në kërkim nga autoritetet shqiptare në kuadër të hetimeve për skandalin e tenderave të AKSHI-t, u arrestua mbrëmjen e djeshme në Francë. Arrestimi i tij u konfirmua edhe nga Policia e Shtetit, pas bashkëpunimit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Lion. Sipas autoriteteve, Beqiri u lokalizua dhe u arrestua në qytetin e Amiens, ndërsa aktualisht ndodhet në paraburgim.
"Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Lion, Francë, si dhe pas shkëmbimit të informacionit mes dy strukturave, autoritetet franceze kanë konfirmuar arrestimin, në qytetin e Amiens, Francë, të shtetasit E. B, 44 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal "Arrest në burg", për veprat penale "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal", si dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Shtetasi E.B, u ndalua fillimisht nga Forcat Ajrore dhe të Hapësirës të Francës, të cilat më pas ia referuan çështjen strukturave të Xhandarmërisë Franceze.
Aktualisht, ai është vendosur në paraburgim. Pritet të dalë para Gjykatës Penale të Amiens, ku do t'i komunikohet zyrtarisht kërkimi ndërkombëtar ndaj tij, në funksion të procedurave për ekstradimin drejt Shqipërisë", njoftoi Policia e Shtetit.
Si pritet të kryhet ekstradimi?
Nëse autoritetet franceze konfirmojnë zyrtarisht se ndaj Ermal Beqirit ekziston një urdhër arresti ndërkombëtar i lëshuar nga autoritetet shqiptare dhe ai rezulton i vlefshëm, do të mund të vijojnë procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Megjithatë, para se të shqyrtohet kërkesa e autoriteteve shqiptare, drejtësia franceze duhet të përfundojë procedurat që lidhen me veprat penale për të cilat Beqiri dyshohet se ka kryer në territorin francez.
Pas përfundimit të këtyre procedurave, gjykata kompetente në Francë do të shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga Shqipëria dhe do të vendosë nëse Beqiri do t'u dorëzohet autoriteteve shqiptare për t'u përballur me akuzat e ngritura nga SPAK.
Arrestimi
Sipas mediave franceze, ndalimi i tij ndodhi në rrethana të pazakonta. Beqiri ishte duke pilotuar një avion të vogël, i cili tërhoqi vëmendjen e autoriteteve pasi fluturoi mbi termocentralin bërthamor Penly, në rajonin Seine-Maritime. Gjatë fluturimit, avioni zbriti në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar për zonat e ndjeshme, çka çoi fillimisht në ndërhyrjen e Forcave Ajrore dhe të Hapësirës të Francës.
"Një shtetas shqiptar u ndalua pasi fluturoi mbi një central bërthamor në Normandi të Francës në një lartësi më të ulët se kufiri i lejuar.", raportuan mediat franceze.
Siç raportohet nga mediat franceze, një tjetër element i pazakontë që ka tërhequr vëmendjen, ishte gjatë kontrollit fizik, forcat e rendit gjetën tre pajisje AirTag të fshehura në rrobat e tij. Sipas medias franceze: "Këto pajisje të vogla GPS, të prodhuara nga Apple, përdoren për të lokalizuar dhe gjurmuar objektet ose personat që i mbajnë me vete. Sipas informacioneve tona, ky detaj i ka orientuar hetuesit drejt një piste tjetër: piloti mund të ketë vepruar nën detyrimin ose kontrollin e një porositësi."
Mësohet se gjatë marrjes në pyetje, biznesmeni ka deklarua se ulja e lartësisë kishte qenë e paqëllimshme, për shkak se në ato momente, ishte duke biseduar me nënën e tij në telefon. Por përgjigjet e tij ngritën dyshime te policia dhe për këtë arsye, pasi u komunikua me palën shqiptare u vendos arrestimi, për shkak se rezultoi se bëhej fjalë për të shumëkërkuarin Ermal Beqiri.
Më pas, çështja iu referua Xhandarmërisë Franceze, e cila procedoi me ndalimin e tij.
Mediat franceze bëjnë me dije se Beqirit “iu dha një dënim me kusht dhe një gjobë prej 7,000 eurosh për fluturim të paligjshëm mbi termocentral. Ai u dorëzua më pas në Zyrën Qendrore për Luftimin e Krimit të Organizuar (OCLCO) dhe pritet të ekstradohet në Shqipëri”.
Hetimet e SPAK
Beqiri është nën masën e sigurisë "arrest në burg", të caktuar nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Ai akuzohet për një sërë veprash penale, mes tyre "Heqja e paligjshme e lirisë", "Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës", "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera publikë", "Grupi i strukturuar kriminal", "Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale" dhe "Pastrimi i produkteve të veprës penale".
Ermal Beqiri zotëron kompaninë “Soft & Solution” dhe akuzohet se ka përfituar tenderë dhjetëra miliona euro. Hetimet e SPAK, të nisura për çështjen e AKSHI-t, zbuluan edhe një jaht luksoz në pronësi të biznesmenit, në vlerën e rreth 1 milion eurove. Gjithashtu, atij i janë sekuestruar 10 pasuri dhe disa llogari bankare të tij e subjekteve. Mes tyre, truall e ndërtesa në Vlorë, Tiranë, e Golem, biznese dhe automjete./ZËRI
