SHKODËR- Personi që shihni në foto është Armando Pali, i cili mbeti i vrarë nga të shtënat me armë zjarri që tronditën Shkodrën mëgjesin e kësaj të hëne. Mësohet se Armand Pali ishte punojës i IKMT-së. Gjithashtu, sipas burimeve, ka qenë ish-anëtar i Këshillit Bashkiak në Shkodër.
Si pasojë e të shtënave ka mbetur e plagosur një kamariere e lokalit ku ndodhi ngjarja, dhe një grua që ndodhej rastësisht brenda ambienteve. I plagosur ka mbetur edhe Erogen Vaso alias Brajoviç, i cili dyshohet se ka qenë shënjestër e këtij atentati, një emër i njohur për autoritetet, pasi në korrik të vitit 2023 emri i tij doli në grupin e Bajrave në Shkodër. Erogen Vaso është vëllai i të arresuarit Denis Brajoviç (Bajri). Ky i fundit u ekstradua nga Dubai në korrik të këtij viti. 37-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, dhe rezulton si një person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore. Bajri akuzohet për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.
Ngjarja ndodhi në lokalin “Kolë Idromeno”, në një zonë të banuar dhe të frekuentuar nga qytetarët, duke shkaktuar panik të madh. Ende nuk janë bërë të ditura detaje mbi motivet e sulmit, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të kuptuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë. Ndëkrohë është arrestuar edhe autori i dyshuar i ngjarjes./ZËRI
