Aktualitet

Urdhri i Trump, Iris Luarasi: Janë bllokuar fondet e organizatave, SPAK nuk preket nga vendimi

Ajo shtoi se nga udhëzimet që kanë marrë nga organizata që ajo drejton, e cila ka lidhje me Ambasadën Amerikane, ndalimi i disa aktiviteteve nuk ka të bëjë me drejtësinë.

I.F
Urdhri i Trump, Iris Luarasi: Janë bllokuar fondet e organizatave, SPAK nuk
Iris Luarasi

TIRANË- Drejtuesja e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Iris Luarasi ka folur rreth informacioneve të fundit se me urdhër të presidentit amerikan Donald Trump janë ndërprerë financimet për instuticionet e financuara nga SHBA, si Prokuroria e Posaçme. Luarasi tha për “Dritare TV” se aktiviteti i SPAK nuk do të preket nga urdhërat e fundit të Trump dhe zhvillimet e fundit nuk lidhen me drejtësinë.

Sipas drejtoreshës, këto lajme nuk janë të vërteta sipas burimeve të saj të informacionit. Ajo shtoi se nga udhëzimet që kanë marrë nga organizata që ajo drejton, e cila ka lidhje me Ambasadën Amerikane, ndalimi i disa aktiviteteve nuk ka të bëjë me drejtësinë.

“Altin Dumani, për momentin, është heroi i ngjarjeve në drejtësi që po ndodhin në Shqipëri. Statistikat tregojnë se SPAK-u është institucioni më i besueshëm në vend, me një mbështetje prej pothuajse 76%. Në Shqipëri ndodh shpesh që politikanët hyjnë në politikë si njerëz të thjeshtë dhe dalin prej saj shumë të pasur. Ndërsa në Amerikë, të cilën e kam si model, kjo gjë nuk ndodh. Thelbi i SPAK-ut është i tillë që askush nuk mund t’i shpëtojë drejtësisë përgjithmonë. Kjo është një gjë e drejtë, dhe shqiptarëve u bëhet zemra mal kur shohin se më në fund po veprohet.

Sa i përket lajmeve për shkrirjen apo ndalimin e SPAK-ut, ato nuk janë të vërteta. Për këtë kam informacion të sigurt, pasi organizata që drejtoj ka lidhje me Ambasadën amerikane dhe kemi aktivitete të pezulluara për 90 ditë. Në udhëzimet që kemi marrë, në asnjë rresht nuk përmendet fjala “drejtësi”. Pezullimet prekin organizatat e financuara nga shteti amerikan dhe do të mbikëqyren për çdo shkelje të mundshme. Megjithatë, mendoj se këto aktivitete do të rikthehen pas një periudhe të caktuar. Fushat që do të preken sipas urdhrit ekzekutiv janë: Diversiteti, barazia, pjesëmarrja, aksesi. Pra, jo drejtësia”, tha Luarasi.

Luarasi iu drejtua dhe zërave për kandidaturën e saj si drejtoreshë e Radio Televizionit Shqiptar, duke thënë se nuk ka aplikuar për këtë post. Ajo tha se ka kandiduar më parë, por nuk ka fituar, por kësaj radhe ajo konsideroi faktin se nëse do të bëhet drejtoreshë e RTSH, nuk do të kishte mundësinë të dërgonte fëmijët e saj me studime jashtë shtetit.

“Unë nuk kam aplikuar për këtë post. Nuk jam kandidate. Ka një procedurë të caktuar për t’u bërë kandidate, procedurë që unë nuk e kam kryer, pra nuk kam kandiduar. Është e çuditshme që sa herë ka zgjedhje të tilla në RTSH, emri im është aty. Unë i falënderoj shumë njerëzit për këtë mendim, sepse e shoh si vlerësim. Këtë radhë nuk e kisha menduar fare. Kam garuar disa vite më parë, rreth 3 apo 4 vjet më parë, dhe nuk e fitova.

Ai ishte momenti kur e mendova si të duhur për të kandiduar, por nuk ja dola. Atë ditë që mora vesh rezultatin, sigurisht që u mërzita. Tani, në këto zgjedhje, mora në konsideratë disa gjëra personale dhe familjare dhe nuk mora pjesë. Një shembull është fakti që, nëse do të bëhesha drejtoreshë e RTSH-së, nuk do të kisha më mundësi të mbaja fëmijët në shkolla jashtë, do të duhet t’i sillja në Shqipëri. Nuk do ja kisha dalë dot me rrogën e RTSH-së”, shtoi Luarasi. /ZËRI

Poll

MOS HUMB