Aktualitet

'Ushtari' i Talo Çelës 'dorë' në çdo vrasje, çfarë dëshmoi Dumani: Ndoci qëlloi tek 'Bradasheshi', deshi të vrasë vëllanë tim...Zylyfi u tentua

I penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, e ka akuzuar Altin Ndocin, se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Alibejt, Endrit Alibej.

F.I
'Ushtari' i Talo Çelës 'dorë' në
Altin Ndoci, Andi Zylyfi, Nuredin Dumani dhe Erion Alibej

TIRANË- Altin Ndoci, i paraburgosur ka arritur të arratiset në Durrës duke shfrytëzuar momentin që forcat e burgjeve e kishin transportuar drejt spitalit për vizitë. Emri i tij rezulton i përfshirë në dhjetra vrasje, ku në katër prej tyre arriti të fitojë pafajësinë. Por çfarë dëshmonin të penduarit e drejtësisë për Altin Ndocin?

Dëshmia e Klevis Allës, një të penduari të drejtësisë që e humbi këtë status pas disa deklarimeve të rreme, është e para që përfshiu në listën e të dyshuarve për ngjarje të rënda kriminale, Altin Ndocin, të paraburgosurin e arratisur nga spitali i Durrësit.  Klevis Alla akuzoi se Ndoci ishte i përfshirë në vrasjen e 4 personave, të dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhiaj në Durrës dhe ekzekutimin e Anxhelo Avdijës dhe Dorian Shkozës po në vitin 2020 në qytetin bregdetar. Por në prill të 2024-ës Gjykata e Posaçme pushoi akuzat duke e shpallur të pafajshëm atë. Sipas dëshmive, Ndoci, dyshohet si pjesëmarrës në vrasjen e Andi Zylyfit në dhjetor 2018 në Peqin dhe plagosjen e Ardit Uruçit.

Ndoci më herët ishte përmendur edhe nga Nuredin Dumani, i cili në dëshminë e tij ka deklaruar se Altin Ndocin dhe Talo Çelën i ka dashur të vrarë. Ndër të tjera i penduari i drejtësisë ka rrëfyer se Ndoci ka qenë një nga personat që ka qëlluar në masakrën e Bradasheshit, ku është vrarë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay. 

Konkretisht në dosjen e siguruar nga ZËRI, në një episod Nuredini i rrëfen Dashnorit bisedën dhe prishjen e pazareve me Mikael Qosjan alias Kel Kamami dhe më pas e pyet nëse është përfshirë në masakrën e Bradasheshit, ku Talo Çela ka qenë shofer. Nga natyra e bisedës që Nuredin Dumani zhvillon me vëllain e tij Dashnor Dumani, kuptohet se në vrasjen e trefishtë të Bradasheshit ku është vrarë Endrit Alibej, xhaxhai i tij Arben Dylgjeri dhe shtetasi turk Erdal Duranay, kanë marrë pjesë Talo Çela, shofer i automjetit të përdorur në atentat, Altin Ndoci dhe Besmir Haxhia të cilët kanë qëlluar, si dhe Dashnor Dumani, i cili ka marrë pjesë por nuk ka qëlluar.

I penduari tjetër i drejtësisë, Erion Alibej, e ka akuzuar Altin Ndocin, se ka marrë pjesë në masakrën e Bradasheshit me 3 tre vrarë në dhjetor të 2018-ës, ku mbeti i vrarë edhe vëllai i Alibejt, Endrit Alibej. Pas kësaj ngjarje, Erion Alibej u betua të marrë hak, duke përfshirë në plan edhe vrasjen e Altin Ndocit. Ekzekutimi që nuk ndodhi kurrë, do të kryhej gjatë varrimit të vëllezërve Haxhia të vrarë në Durrës 6 vite më parë, pasi Ndoci i kishte miq.

-Po ashtu Ndoci, sipas dëshmisë së Dumanit u pagua 60 mijë paund për të ekzekutuar kunatin e motrës së Besmir Haxhisë. 

Dashnor Dumani dhe Altin Ndoci do merrnin 60 mijë paund. Unë vetëm do i prisja, nuk e di sa lekë do më jepnin. 10, 15, 20 mijë… Altini do ishte ekzekutor, Dashnori shofer, Besmiri informator, unë do isha pritësi. Unë do e jepja informacionin te Ura e Draxhit. Do merrja këta me makinë. Nga gjendja ekomonike në këtë periudhë isha “Jo Bos”. Bosi fillon nga 5 milionë në 100 milionë, pastaj nis Big Bosi. Altini e kishte zanat ekzekutimin. “Baca” ja dha porosinë Dashnorit. Altinin e propozoi Dashi të ishte pjesëmarrës. Me makinën që u përdor për vrasjen e Andi Zylyfit u tentua dy herë vrasja e personit në fjalë. Ky personi punonte me kamera, montonte kamerat. Kur jam takuar me Bacën ka qenë verë, përpara tentativës,”-tha Dumani.

-Dumani gjithashtu ishte shprehur se,  Altin Ndoci deshi ti vrasë vëllanë, por iu bllokua arma. 

“Pas konfliktit që pata me Talo Çelën dhe Altin Ndocin doja të vriteshin ata, por jo nga dora jonë. Kjo më interesonte, pasi Altin Ndoci deshi të vrasë vëllanë tim, por ju bllokua arma. Unë doja ta ndihmoja të shkonin ata, jo ti vrisja unë. Pasi u takuam vendosa ta ndihmoja”, ka thënë Dumani.

Poll

MOS HUMB