DURRËS- Detaje të reja janë zbuluar nga arratisja e të burgosurit, Altin Ndoci, nga reparti i Infektivit në Spitalin e Durrësi, ku ishte dërguar për të kryer disa ekzaminime për probleme shëndetësore. Por, duket se e gjitha ka qenë një skenar i parapërgatitur për arratisje.
Ditën e sotme, Altin Ndoci është shoqëruar nga Policia e Burgjeve nga paraburgimi i Durrësit drejt spitalit rajonal, në një dhomë të posaçme ku kryhen vizitat mjekësore për personat e paraburgosur. Ai është shoqëruar nga 5 efektivë të burgjeve, njëri prej tyre shofer. Mësohet se dy prej efektivëve që e shoqëronin janë futur brenda në ambientet e spitalit, ndërsa Ndoci u ka kërkuar që të shkonte në tualet. Në këtë moment ka nisur të marrë formë plani.
Pasi Ndoci ka dalë nga tualeti, ka goditur me grusht një prej efektivëve dhe është larguar me vrap nga kati i 3-të duke zbritur nga shkallët. Efektivi i cili është goditur, ka vrapuar pas tij dhe ka qëlluar në ajër në oborrin e spitalit të Durrësit për ta trembur, por Altin Ndoci ia ka mbathur. Ai është larguar me shpejtësi nga kati i 3-të i infektivit duke zbritur nëpërmjet shkallëve.
Ndërkohë, sipas burimeve policore, në parkingun e ndodhur pas spitalit, atë e ka pritur një makinë tip "Audi" e bardhë me targa AA700RS, e cila e ka larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshimet paraprake janë se i burgosuri të jetë larguar drejt zonës së Spitallës.
Ndërkohë, Drejtoria e Burgjeve në një deklaratë pas ngjarjes tha se efektivët kanë tentuar ta ndalojnë, por nuk kanë mundur dot, ndërsa vijojnë kërkimet.
"I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit. Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton Drejtoria e Burgjeve./ZËRI
