Aktualitet

Veliaj me avokat amerikan, vëllai i kryebashkiakut: Po i paguaj unë!

Ai është shprehur se do të jetë garanti financiar që vëllai i tij të përfaqësohet juridikisht nga një studio ligjore amerikane.

I.F
Veliaj me avokat amerikan, vëllai i kryebashkiakut: Po i paguaj unë!
Erion dhe Arber Veliaj

TIRANË- Vëllai i Erion Veliajt, Arbër Veliaj ka pranuar se po paguan një studio ligjore amerikane që të mbrojë kryebashkiakun e Tiramës. Ai është shprehur se do të jetë garanti financiar që vëllai i tij të përfaqësohet juridikisht nga një studio ligjore amerikane.

"Unë jam Arbër Veliaj, një sipërmarrës me një përvojë 19-vjeçare në biznes, me të ardhura plotësisht të ligjshme, të cilat burojnë nga aktiviteti im tregtar i zhvilluar për gati dy dekada, në pavarësi të plotë nga im vëlla, Erion Veliaj.

Gjatë këtyre viteve, kam ndërtuar një portofol të suksesshëm klientësh ndërkombëtarë, duke punësuar mbi 80 vetë dhe duke i paguar shtetit shqiptar të gjitha detyrimet, si nje taksapagues i rregullt e një kontributor në zhvillimin e sektorëve ku operoj.

Në këtë kontekst, sqaroj publikisht se jam unë garanti financiar për angazhimin e një studioje ligjore amerikane, e cila do të sigurojë konsulencën dhe strategjinë për mbrojtjen juridike të vëllait tim, dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt.

Ky veprim përveçse ne lidhjen time të pandashme me tim vëlla, bazohet në bindjen time të plotë për rëndësinë e mbrojtjes së të drejtës dhe të së vërtetës”, ka deklaruar Arbër Veliaj, sipas "Shqiptarja.com"

Po ashtu, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj takoi Joshua Roberts një avokat amerikan që do të jetë vëzhgues nesër në seancën e apelit. Roberts në një prononcim për mediat u shpreh se ndodhet këtu për të vëzhguar seancën që do të mbahet nesër për të shqyrtuar kërkesën e Veliajt për lirim me kusht.

Kryebashkiaku Erion Veliaj u arrestua me urdhër të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa është lënë në “detyrim paraqitjeje”. Veliaj akuzohet për korrupsion në 9 raste dhe pastrim parash, ndërsa Xoxa për korrupsion në 9 raste, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në pranga është vendosur edhe biznesmeni Elman Abule, ndaj të cilit rëndon akuza e pastrimit të parave. Në "detyrim paraqitje" janë lënë edhe 5 biznesmenë: Gentian Sula; Fatmir Bekteshi; Shkëlqim Fusha; Sokol Kryeziu dhe Meriman Palushi./ZËRI

Poll

MOS HUMB