TIRANË- Zbardhen detaje të reja nga dosja e SPAK për çiftin Veliaj-Xoxa, por më konkretisht për "aktivitetet" e zonjës së parë të Tiranës.
Gjatë marrjes në pyetje të punonjëseve që dikur punonin pranë zyrave të Ajola Xoxës, si Ines Dani, Adela Kondakçiu dhe Greta Domi, janë zbuluar detaje të tjera lidhur me projektet që merreshin përmes fondeve publike. Në rastin e publikuar nga gazetari Elton Qyno në "OraNews", zbulohet se Ajola Xoxa, përmes lidhjeve të saj me kryebashkiakun e Fierit Armando Subashi, arrin të fitojë një tender në bashkinë e Fierit me vlerë prej 24 mijë e 650 euro. Kjo sasi parash do jepej nga programi “IPA”, i bashkimit Ndërkufitar Itali-Shqipëri, Mali i Zi 2014-2020.
Projekti u fitua nga Ines Danit, e cila ishte një punonjëse e zyrës së Ajola Xoxës, por kishte hapur edhe nipt-in e saj si "person fizik". Dokumenti është firmosur edhe nga shtetasi Armando Subashi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Fier, i cili ka miratuar edhe procedurën. Më pas, kontrata për projektin "3C4SME” mes Danit dhe Bashkisë Fier është lidhur më datë 12 dhjetor 2019.
Nga komunikimet e administruara ndërmjet Ines Dani dhe financieres Adela Kondakçiu, e cila është zbuluar se është kthyer në një të penduar të SPAK-ut, si dhe nga mesazhet me Ajola Xoxën, e cila kontrollonte aktivitetin e Ines Danit, rezulton se kjo e fundit nuk kishte asnjë dijeni lidhur me përmbajtjen e kontratës. Përkundrazi, ajo e konsideronte veten të painformuar dhe deklaronte se: Vetëm emrin kisha aty.
Madje jo vetëm kaq! Ines Dani, ka deklaruar se kontratën e kishte firmosur “…shpejt e shpejt…”, sepse asokohe ishte me leje lindjeje. Po ashtu, ajo ka sqaruar se nuk ka marrë pjesë në asnjë takim për projektin, nuk ka përgatitur asnjë raport dhe nuk ka ndjekur zbatimin e kontratës. Nga ana tjetër, Greta Domi, e cila është e regjistruar si person fizik me të njëjtin objekt veprimtarie si Ines Dani, ka deklaruar se ka kryer fatura për llogari të “Partners Law” (firma e Ajola Xoxës) dhe është udhëzuar nga bashkëshortja e kryebashkiakut të arrestuar Erion Veliaj, Ajola Xoxa, për çdo veprim financiar.
Ajo ka pranuar se marrëdhënia me Ajola Xoxën ishte e ngushtë dhe se për shumë transaksione nuk kishte dijeni për burimin ose destinacionin final të shumave. Në dëshminë e saj, Greta Domi ka sqaruar se ajo vetëm faturonte dhe firmoste sipas asaj që i kërkonte Xoxa. Edhe kryetari i Bashkisë së Fierit, Armando Subashi kishte deklaruar se nuk kishte dijeni për ecurinë e detajuar të projektit pas nënshkrimit të kontratës dhe se procedurat e tenderit dhe përzgjedhjes, duke pretenduar se i ishin deleguar grupit përkatës të punës.
Ai ka thënë se nënshkrimi i kontratës me Ines Danin është bërë bazuar në rekomandimin e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave dhe në dokumentacionin që i është paraqitur zyrtarisht.
Ndërkohë dy punonjëset e bashkisë Fier, Erinda Jovani dhe Sibora Kadriu, gjatë marrjes në pyetje në SPAK, kanë deklaruar se nuk kanë qenë të përfshira aktivisht në procedurat e shpalljes së thirrjes apo vlerësimit të ofertave, pasi dokumentet i kanë gjetur të përgatitura dhe të paraqitura në zyrë pa kaluar nga protokolli i Bashkisë. Ato kanë deklaruar se nuk kanë dijeni për mënyrën e përzgjedhjes së fituesit dhe se as nuk kanë pasur kontakte me subjektet konkurruese.
Ndërsa Romina Tafaj, e thirrur për të dhënë shpjegime deklaroi se është themeluese dhe drejtuese ekzekutive e një organizate jofitimprurëse të quajtur "Gjenerata e Re", e krijuar në vitin 2015, e cila angazhohet në organizimin e aktiviteteve kulturore, sportive, sociale dhe të tjera me natyrë komunitare.
Bashkëshortja e Erion Veliajt akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim (9 herë), “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Ndërsa bashkëshorti i saj, Erion Veliaj u vendos në pranga më 10 Shkurt. Që prej asaj dite, Veliaj është mbajtur në qelinë e paraburgimit me kërkesë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pasi mbi të rëndojnë disa vepra penale. SPAK e akuzon Veliajn se bashkë me të shoqen ka krijuar një skemë përfitimi ryshfetesh për pasurim personal përmes një numri organizatash 'OJF'.
Kështu kanë përfituar së paku 1.1 milionë euro në 9 raste. Veliaj akuzohet se ka përfituar vila në Qerret, ndërsa Xoxa akuzohet se ka shpenzuar rreth 890 mijë euro në blerje veshjesh dhe bizhush online. Veliaj është lënë në masën "arrest me burg", ndërsa Xoxa në "detyrim paraqitje", ndërsa për 6 biznesmenët që dyshohen se kanë bashkëpunuar me Veliajn janë lënë në "arrest shtëpie" dhe "detyrim paraqitje."/ZËRI