TIRANE- Dy të rinj të përfshirë në disa grabitje dhe të njohur për precedentë penalë përfunduan në pranga, Ardit Domi dhe Lorenc Cali, pas një përplasjeje të armatosur me shërbimet e Policisë. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit në autostradën Durrës-Tiranë, në zonën e Sukthit, kur patrullat policore pikasën një automjet të vjedhur, i përdorur një ditë më parë në një grabitje në një karburant po në këtë zonë.
Në vend që të ndalonin, të dy të rinjtë u përpoqën të arratiseshin dhe hapën zjarr ndaj policisë me armë automatike. Përplasja u zhvendos në zonën e Vorës, ku makina doli nga rruga dhe autorët u fshehën në një lokal ku po mbahej një dasmë. Nga aty, ata qëlluan me automatik drejt Policisë. Efektivët reaguan menjëherë, duke rrethuar ambientin dhe duke arrestuar të dy, mes të cilëve edhe Ardit Domin, i cili mbeti i plagosur.
Në makinë u gjet një armë automatike kallashnikov me dy krehra. Dy të rinjtë sipas verifikimeve të ZëRI, rezultojnë të kenë pasion për makina luksoze, palestra dhe veshje me brande, të cilat i shfaqnin hapur në rrjetet sociale. Tashmë të dy janë nën pranga dhe pritet të përballen me disa akuza, përfshirë edhe rrezikimin e jetës së punonjësve të Policisë./ZëRI