
THETH- Tension i lartë është shënuar sot në Theth, në ditën e fundit të afatit të vendosur nga qeveria për çmontimin vullnetar të ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur. Banorët e dy objekteve të mbetura në listën e ndërtimeve të paligjshme refuzuan të prishnin vetë strukturat, duke sfiduar afatin e orës 18:00 të vendosur nga IKMT.
Pamjet nga vendngjarja tregojnë përplasje të drejtpërdrejta mes banorëve dhe punonjësve të IKMT, ku këta të fundit kanë mbërritur në terren me fadroma për të nisur shembjen e godinave. Banorët u përpoqën të ndalonin ndërhyrjen duke bllokuar rrugën kryesore, por ndërhyrja e Policisë së Shtetit bëri të mundur lirimin e saj dhe nisjen e procesit të shembjes.
Ky është kulmi i një aksioni që ka zgjatur një javë dhe që ka çuar deri më tani në shembjen e mbi 100 ndërtimeve pa leje në territorin e Parkut Kombëtar të Thethit, një nga zonat më të rëndësishme turistike dhe natyrore të Shqipërisë.
Pas përfundimit të ndërhyrjeve, strukturat shtetërore pritet të tërhiqen nga territori i Parkut Kombëtar, ndërsa autoritetet kanë paralajmëruar se kontrollet do të vijojnë në mënyrë periodike, për të siguruar që të mos ketë ndërtime të reja në kundërshtim me ligjin.
Ndërkohë, banorët shprehen të revoltuar për mënyrën e veprimit të institucioneve, duke kërkuar zgjidhje për legalizim ose forma dëmshpërblimi për ndërtimet që, sipas tyre, janë bërë "jo për biznes, por për mbijetesë dhe zhvillim lokal"./Zeri