
GREQI- Autoritetet greke kanë nisur kontrolle në zë Atikën Perëndimore pas dyshimeve se dy shqiptarët e arratisur po fshihen në këtë zonë. Protothema shkruan se operacioni për gjetjen e tyre kryhet nga ekipe speciale të policisë. Kjo pasi dy të arratisurit dyshohet se janë bashkë dhe të armatosur.
Arratisja e dy të burgosurve shqiptarë nga burgu rural i Kassavetia, mbrëmjen e së enjtes (2 janar 2025) ka vënë në lëvizje autoritetet greke. Protothema raporton se dy të arratisurit, Romeo Qosja dhe Lefter Toçi janë dënuar për grabitje të shumta, zjarrvënie dhe anëtarësim në një organizatë kriminale me qëllim kryerjen e vrasjeve me pagesë.
Dy të burgosurit mbaheshin që nga viti 2019 në Burgjet Bujqësore, në një zonë të pa rrethuar, për shkak të sjelljes së mirë, ndërsa dhoma e tyre kontrollohej vetëm disa herë në ditë nga stafi. Ndërkohë një prej oficerëve të policisë, që ishte marrë me çështjen e këtij grup kriminal, shprehet se nuk ka mundësi që kriminelë me një histori të tillë të marrin leje.