Aktualitet

Bojkoti 'ngric' seancën, shtyhet gjyqi ndaj Veliajt, GJKKO gjobit avokatët me 50 mijë lekë

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatëve në kuadër të bojkotit të tyre kundër rregullores së re të GJKKO, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator.

zh.ll
Bojkoti 'ngric' seancën, shtyhet gjyqi ndaj Veliajt, GJKKO gjobit
erion veliaj

TIRANË- Është shtyrë seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e avokatëve në kuadër të bojkotit të tyre kundër rregullores së re të GJKKO, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator.

Mësohet se GJKKO ka vijuar me aplikimin e masave ndaj avokatëve që marrin pjesë në bojkot, duke i gjobitur me nga 50 mijë lekë, ndërsa për të pandehurin pezullohen afatet e paraburgimit. Seanca e radhës për kryetarin e bashkisë Tiranë është caktuar për 13 tetor, në orën 10:00.

Që prej datës 9 shtator nisën të bojkotonin seancat gjyqësore dhe për gati një muaj në Gjykatën e shkallës së parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është zhvilluar asnjë gjyq. Ndërsa me shumicë votash, në mbledhjen e Këshillit Drejtues të Dhomës së Avokatisë, 23 shtator, u votua vijimi i bojkotit. 

Më 21 shtator, GJKKO gjobiti mbi 10 avokatë me nga 50 mijë lekë të rinj. Masa administrative erdhi në një kohë kur GJKKO ka bërë të ditur se rregullorja e re do të vijojë të zbatohet, duke e bërë të qartë se nuk do të tërhiqet. 

Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI

Poll

MOS HUMB