Aktualitet

Vizita e Altin Dumanit në SHBA, SPAK: U diskutua goditja e organizatave ndërkombëtare kriminale

Në njoftim thuhet se në fokus ka qenë bashkëpunimi mes SPAK dhe agjencive amerikane për goditjen e organizatave ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

F.I
Vizita e Altin Dumanit në SHBA, SPAK: U diskutua goditja e organizatave
Altin Dumani

TIRANË-Vizita e kreut të SPAK, Altin Dumani, në Departamentin e Shtetit (DASH0 është diskutuar përgjatë këtyre ditëve, pasi ende nuk kishte një informacion zyrtar në lidhje me takimin dhe temat e diskutimit. Ndërkohë sot, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur takimet që zhvilloi kreu i saj, Altin Dumani më 2 dhe 3 shtator në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Në njoftim thuhet se në fokus ka qenë bashkëpunimi mes SPAK dhe agjencive amerikane për goditjen e organizatave ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave. Ndër të tjera SPAK bën me dije se edhe më 26 deri më 28 gusht, Dumani ka qenë në Nashville ku ka marrë pjesë në një konferencë për zbatimin e ligjit për narkotikët me ftesë të DEA-s, Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA).

NJOFTIMI:

WASHINGTON D.C – Në cilësinë e Drejtuesit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, z.Altin Dumani zhvilloi takime të nivelit të lartë gjatë vizitës zyrtare në Ëashington D.C, në Shtetet e Bashkuara, më 2 dhe 3 shtator.

Gjatë takimeve me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë dhe Byrosë Federale të Hetimit (FBI) u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë mes SPAK dhe agjencive ligjzbatuese amerikane për të goditur organizatat ndërkombëtare kriminale, për të ndaluar trafikun e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe pastrimin e parave.

Z.Dumani shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara dhe theksoi rëndësinë e këtij partneriteti strategjik.

Drejtuesi i SPAK mori pjesë në Konferencën e DEA-s në SHBA, më 26-28 Gusht

NASHVILLE-TENNESSEE –  Me ftesë të Agjencisë Amerikane Kundër Narkotikëve (DEA), Drejtuesi i SPAK, z.Altin Dumani mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare për Zbatimin e Ligjit për Narkotikët, e cila u zhvillua në Nashville të Tennessee më 26-28 Gusht.

Konferenca e titulluar, “Uniteti global për një të ardhme më të sigurt: Forcimi i aleancave kundër krimit transnacional” , u përshëndet nga Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, znj. Pamela J. Bondi.

Gjatë konferencës, z.Dumani zhvilloi një takim me administratorin e DEA-s, z.Terrance Cole, ku u vlerësua bashkëpunimi ekzistues në luftën kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve dhe rëndësia e vazhdimit dhe zgjerimit të tij në të ardhmen.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme pati takime edhe me drejtues të agjencive të rëndësishme të zbatimit të ligjit të vendeve pjesëmarrëse në konference, me të cilët diskutoi mundësinë e krijimit të urave të komunikimit si edhe forcimin e marrëdhënieve ekzistuese, për të luftuar trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.

Vizita e Dumanit në Uashington erdhi në një moment vendimtar për SPAK-un dhe institucionet e reja të drejtësisë në Shqipëri. Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që pas pak javësh të hapë garën për drejtuesin e ri të Prokurorisë së Posaçme ndërsa shumë shpejt pritet të zgjidhet edhe kreu i Byrosë Kombëtare të Hetimit. Vitin e kaluar Dumani u nderua me çmimin “Kampion në Luftën Kundër Korrupsionit”, dhënë nga ish-Sekretari i Shtetit Antony Blinken./ZËRI

Poll

MOS HUMB