DURRË- Gjykata e Durrësit ka vendosur zëvendësimin e masës së sigurisë nga "arrest me burg" në "arrest shtëpie" për ish-drejtoreshën e filialit të Postës Shqiptare në Durrës, Elisabeta Mataj. Sipas vendimit të gjykatës, urdhërohet lirimi i menjëhershëm i Matajt.
Mataj ndodhej në paraburgim që prej muajit korrik, nën hetim për dyshimet mbi përvetësimin erreth 69 milionë lekëve të rinj (700 mijë euro), fonde të destinuara për pensionet në degët e Postës në Shijak dhe Krujë. Ajo është një nga tre zyrtaret e Postës së Durrësit të përfshira në hetim. Në korrik, ish-shefja e financës Valbona Duni dhe arkëtarja Paola Dana u lanë që në fillim në “arrest në shtëpi.
VENDIMI
Çështja penale me Nr. 509/5 Akti, me objekt “Informacion 2 mujor në lidhje me ecurinë e proçedimit penal, në varësi të permbajtjes të ketij informacioni kërkojmë dhe zëvendësimin e masës së sigurimit”.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës (Kërkuese), përfaqësuar nga Prokuror Gazmend Frëngu. Kjo çështje u shortua elektronikisht pranë Gjyqtarit Xhevdet Lika Seanca gjyqësore u zhvillua në datë 25.09.2026, ora 09:00.
Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, për çështjen e sipërcituar, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ka disponuar me Vendimin Nr. 509/5, datë 25.09.2026, ku ka vendosur:
VENDOSI
1. Pranimin e kërkesës të personit nën hetim Elisabeta Mataj.
2. Zëvëndësimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, të caktuar ndaj personit nën hetim E.M. me vendimin Nr.509/2, datë 18.07.2026, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me masën e sigurimit personal “Arrest në shtëpi”, të parashikuar nga neni 237 K.Pr.Penale.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të personit nën hetim E. M. nga dhomat e paraburgimit nëse nuk mbahet e paraburgosur për ndonjë vepër tjetër penale.
4. Urdhërohet personi nën hetim E. M. të qëndrojë dhe të mos largohet nga banesa e saj në Lagjen nr.xx, Qyteti Durrës.
5. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës dhe policia gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
6. Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) diteve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, duke filluar nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të gjykatës.
Sipas hetimeve, rreth 69 milionë lekë të rinj, të parashikuara për shpërndarjen e pensioneve dhe ndihmave sociale në degët e Postës në Shijak dhe Krujë, dyshohet se nuk janë arkëtuar. Prokuroria dyshon se shuma është përvetësuar në bashkëpunim nga tre të arrestuarat. Për këtë çështje është regjistruar procedim penal për veprat penale “shpërdorimi i detyrës” dhe “vjedhja duke shpërdoruar detyrën”. Sipas Prokurorisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë muajve prill dhe maj të vitit 2026.
Elisabeta Mataj u shkarkua nga detyra më 14 korrik dhe u kallëzua në Prokurori nga vetë institucioni, pas konstatimit të parregullsive gjatë një kontrolli të brendshëm./ZËRI