
TIRANË- Mario Prelleshi është vetëm 14-vjeç, por mbi të tashmë rëndojnë prangat në duar dhe një akuzë për vrasjen e shokut të tij. Sot, Policia e Tiranës ka njoftuar se ka vendosur në pranga adoleshentin që qëlloi për vdekje me thikë Martin Canin. Sipas bluve të kryeqytetit, i mituri është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe më pas i ka qëlluar me një thikë që kishte me vete, por që nuk dihet sesi kishte mundur që ta fuste brenda oborrit të shkollës. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri (Luis Meçe), së bashku me autorin e dyshuar ndodhen ende në spital, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
Sa i përket Prelleshit, edhe pse ende nën moshë, mbi të rëndojnë veprat penale: vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit; prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
NJOFTIMI I POLICISË:
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme, në rrugën "Qemal Stafa", specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Personit arrestuan një të mitur 14 vjeç, për veprat penale "Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit" dhe "Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta", parashikuar nga nenet 79 pika a dhe 279 të Kodit Penal. Ky shtetas, ditën e djeshme, në afërsi të shkollës "Fan Noli", për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatatët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra njëri nga 14-vjeçarët ka ndërruar jetë në spital, ndërsa tjetri, së bashku me autorin e dyshuar ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja e rëndë që tronditi vendin ka ndodhur pasditen e djeshme. Të rinjtë ishin konfliktuar gjatë pushimit të gjatë, por ishin ndarë nga roja i shkollës dhe mësuesit. Disa orë më pas, rreth orës 13.00, kur edhe kishin përfunduar mësimin, u ritakuan në oborr. Viktima, Cani kishte kërkuar ndihmë nga shoku i tij, Luis Meçe, i cili nga një shkollë tjetër kishte shkuar tek "Fan Noli". Kështu mes të treve nisi një konflikt që përfundoi me përdorimin e thikës. Sesi e kanë gjetur, fshehur ose futur brenda ambienteve të shkollës, kjo ende nuk është e qartë. Motivet për vrasjen mendohet se janë disa, nga përplasjet në rrjetet sociale tek ato për një vajzë, por me rëndësi është një jetë fëmije humbi, kur mund të ishte paralajmëruar./ZËRI