ELBASAN- Policia e Elbasanit ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, i cili njihej dhe me identitetin Edmond Hyka. Vrasja ka ndodhur rreth orës 20:35, ndërsa Mëhalla ëshë gjetur i vrarë me armë zjarri brenda mjetit të tij.
“Rreth orës 20:35, është marrë njoftim se në lagjen “Emin Matraxhiu”, brenda në një automjet të parkuar, është gjetur, i vrarë me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H., 43 vjeç.
Në vendngjarje shkuan menjëherë shërbimet e Policisë dhe janë ngritur pika kontrolli në dalje të qytetit, dhe vijojnë kontrollet në zonë e në ambiente të ndryshme, për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon intensivisht për sqarimin e rrethanave, dokumentimin ligjor, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve”, njofton policia e Elbasanit.
Biznesmeni Mondi Mëhalla ka ndërruar jetë mbrëmjen e kësaj të diele (30 Nëntor) pasi u ekzekutua nga persona të paidentifikuar pranë biznesit të tij. Mësohet se ai ka marrë dy plumba në kokë, menjëherë sapo është futur në mjetin e tij Range Rover, që ndodhej i parkuar pranë karburantit në pronësi të tij. E gjithë zona është e survijuar nga kamera dhe qarkullimi kur ka ndodhur krimi ka qenë shumë i lartë. Atentati duket se ka qenë i mirë-organizuar, pasi atentatorët janë larguar pasi janë bindur që personi që ishte objektivi ka ndërruar jetë./ZËRI