ELBASAN- Policia e Elbasanit ka arrestuar një tjetër person si të dyshuar për vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla. Në pranga ka rënë shtetasi Nevzat Spaho 29-vjeç, i cili dyshohet se është ekzekutori. Arrestimi i 29-vjeçarit është bërë në Përrenjas, ndërsa Spaho rezulton me precedent të mëparshëm penalë. Arrestimi i Spahos është rezultat i disa orësh ndjekjeje dhe verifikimesh të kryera nga strukturat e Policisë së Shtetit, të cilat po punojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në vrasje.
29-vjeçari rezulton i dënuar më parë nga gjykata e Elbasanit për akuzën e "Shtrëngimit me anë të kanosjes për marrje pasurie" dhe "Mbajtje pa lejë të armë". Në vitin 2022, ka rezultuar se shtetasi Nevzat Spaho, ka shtrënguar duke e dhunuar fizikisht, si dhe ka kanosur me armë zjarri, një shtetas, për dhënien e një shume parash prej 3 mijë eurosh.
"Vijon operacioni policor i koduar "Strike", me objektiv identifikimin, kapjen dhe individualizimin e përgjegjësisë penale, të të gjithë shtetasve të përfshirë në vrasjen e shtetasit M. M. alias E. H. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve të shpejta operacionale, është identifikuar dhe kapur një bashkëpunëtor i dyshuar në këtë krim. I arrestuari, me precedent të theksuar kriminal në disa fusha, ndër to, për tentativë për vrasje.
Sekuestrohen 1 automjet, 1 celular dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit. Në vijim të veprimeve operacionale të kryera në bazë dhe për llogari të hetimeve intensive që po kryhen për të dokumentuar ligjërisht autorësinë dhe rrethanat e vrasjes së kryer më datë 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen "Emin Matraxhiu", specialistët për
Hetimin e Krimeve të Rënda ekzekutuan urdhrin e prokurorit, për ndalimin e shtetasit:
-N. S., 29 vjeç, banues në Prrenjas, për veprat penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga verifikimet rezultoi se ky shtetas kishte precedent penal për tentativë për vrasje, armëmbajtje pa leje, shtrëngim me anë të kanosjes/dhunës për dhënie të pasurisë, si dhe për vjedhje. Ndërkaq, nga hetimet e deritanishme dyshohet se ai është përfshirë në ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e datës 30.11.2025, në ambientin e jashtëm të një karburanti në lagjen "Emin Matraxhiu", ku u vra me armë zjarri, shtetasi M. M. alias E. H.. Hetimet vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme", thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë.
Policia e Elbasanit njoftoi dje se kishte zbardhur vrasjen e biznesmenit Mondi Mëhalla, duke shpallur në kërkim dy autorët e dyshuar, njëri prej të cilëve duhet të ishte nën masën e arrestit të shtëpisë. Dy personat e shpallur në kërkim si autorë të dyshuar janë Armando Kola dhe Marselo Arani. Ndërkohë që dy persona janë arrestuar si të përfshirë në këtë ngjarje. Shtetasi Xhino Ago, tashmë i vënë në pranga, dyshohet se iu ka vënë në dispozicion autorëve makinën që u përdor për vrasjen e Mëhallës. Ndërsa në pranga është vënë dhe roja e karburantit Kujtim Pisha, i cili akuzohet për moskallëzim krimi. Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet intensive hetimore për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje. Ndërkohë që në njoftimin e policisë nuk thuhet ende shkaku që ka çuar në vrasjen e biznesmenit, dhe nëse dy autorët e kanë kryer krimin kundrejt pagesës, apo kanë pasur konflikte personale me viktimën.
Mondi Mëhalla u ekzekutua mbrëmen e të dielës (30 Nëntor) në mjetin e tij Range Rover, i cili gjendej i parkuar pranë karburantit "Xhaxhi Oil" në pronësi të tij. Hetimet janë përqendruar në konfliktet e mundshme që 43 vjeçari Mëhalla ka pasur kohët e fundit, pasi disa prej te shoqëruarve dhe të afërm të viktimës kanë dhënë deklarimet e tyre para grupit hetimor. Mëhalla ka qenë i skeduar më herët për shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje, ndërkohë që në vitin 2020, Prokuroria e Elbasanit ka nisur një hetim pasuror ndaj tij për pastrim parash.
Mëhalla, ishte pronari i club lounge "Hollyvood Lounge Bar", i cili njëherësh zotëronte dhe një pikë karburanti të quajtur “Xhaxhi Oil” si dhe një kompani taksish me emrin "El Taxi". Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen "Emin Matraxhiu" në Elbasan, 50 metra larg vendit ku ndodhi masakra e 4 shkurtit 2016, ku mbetën të vrarë 3 persona dhe 8 të tjerë u plagosën rëndë. /ZËRI
