TIRANË-Ende nuk ka asnjë asnjë autor lidhur me vrasjen e Edmond Sulës mesnatën e 11 korrikut në fshatin Bërxullë, ndërsa Policia ka ndërmarrë një aksion kontrollesh në zonë në kuadër të hetimeve. Kontrollet janë ushtruar në katër banesa të fshatit, konkretisht prona të pjesëtarëve të familjes Loci, ku janë kërkuar prova materiale që mund t’i shërbejnë zbardhjes së ngjarjes.
Raportohet se janë kryer edhe disa shoqërime në në komisariat, të cilët po pyeten nga grupi hetimor në lidhje me rrethanat e krimit dhe njohjen e tyre me viktimën. Pista kryesore ku po përqendrohen hetuesit lidhet me një konflikt të mundshëm pronësie mes viktimës Edmond Sula dhe personave të shoqëruar.
Vrasja ndodhi më 11 korrik, ku 50-vjeçari i njohur edhe me emrin Ali Sula sapo kishte parkuar automjetin e tij dhe teksa i drejtohej derës së banesës, një plumb e ka goditur nga mbrapa, në shpinë duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Sipas hetimeve paraprake plumbi u shkrep nga një armë me precizion të lartë, e pajisur me dylbi. Viktima merrej me shit-blerje pronash. Hetimet për vrasjen e Edmond alias Ali Sulës janë shtrirë edhe në Maqedoninë e Veriut, pasi rezulton se viktima ishte aksioner në një kompani, e cila ishte pajisur me licencë për kultivimin e kanabisit mjekësor./ZËRI

