
KORÇË- Hetimet për vrasjen e Egli Progës janë në fazën përfundimtare, por duket se po ndryshojnë. Dëshmi të reja kanë dalë nga vetë të arrestuarit, të cilët kanë dëshmuar se viktima është dhunuar fillimisht brenda lokalit nga Leonidha Guçe, më pas ai është goditur kur ka dalë nga objekti edhe Denis Meçe. Sot Gjykata e Korçës dha masën e sigurisë “Arrest me Burg” për Andi Shkulakun, i cili është arrestuar tre ditë më parë me urdhër të prokurorisë së Korçës, dhe akuzohet për moskallzim krimi.
Hetimet për këtë ngjarje nuk janë mbyllur plotësisht, pasi organi i akuzës, ka veçuar një pjesë të dojes, në lidhje me dyshimet për shpërdorim detyre nga disa punonjës të Policisë, për të cilët do të merret vendimi në ditët në vijim.
Pasditen e 10 gushtit në lagjen 1 të Pogradecit, 42 vjeçari Egli Proga baba i dy fëmijëve u dhunua për vdekje nga Denis Meçe, i cili u largua nga vendngjarja. Ai u arrestua vetëm disa ditë më vonë ndërsa në pranga përfunduan edhe 3 personat të cilët deklaruan se nuk kishin parë asgjë nga ngjarja e rëndë. Bashkë me të, për moskallëzim krimi u proceduan edhe Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari.
"Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrestua në flagrancë shtetasi A.Sh., i dyshuar për veprën penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’ parashikuar nga neni 300 dhe 305/b i Kodit Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur më 10.08.2024 ku shtetasi E.P. humbi jetën si pasojë e goditjeve të marra.
Në kuadër të hetimeve mbi procedimin penal nr.1466, të datës 12.08.2024, regjistruar për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ ndaj shtetasit në hetim D.M., të dhëna të reja kanë dalë në dritë pas rrëfimit të të pandehurit dhe ballafaqimit të të akuzuarve të përfshirë në këtë ngjarje.
Nga hetimet, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, arriti të zbulojë se viktima, shtetasi E.P., është goditur dhunshëm jo vetëm nga shtetasi D.M., por edhe nga shtetasi L.G. i cili ka qenë i pranishëm në të njëjtin lokal në momentin kur ka ndodhur ngjarja.
Për rrjedhojë, ky shtetas, aktualisht me masë sigurie ‘Arrest në burg’ për veprat penale ‘Moskallëzim krimi’ dhe ‘Deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore’, tashmë është nën hetim për veprën penale ‘Vrasje me dashje’ e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 76 e 25 i Kodit Penal.
Në analizë të akteve të administruara në këtë procedim penal, rezultoi se arrestimi në flagrancë i shtetasit A.Sh., u bë në përputhje me kriteret ligjore, pasi duke qenë në cilësinë e dëshmitarit okular të ngjarjes së datës 10.08.2024, ku ka mbetur i vdekur viktima shtetasi E. P., ai me dashje dhe me qëllim ka mbuluar një prej autorëve të kësaj ngjarje, e më konkretisht shtetasit L. G. me të cilin kishte marrëdhënie të ngushta shoqërore. Ky shtetas, jo vetëm që nuk ka kallëzuar krimin e ndodhur, por ka dhënë deklarime të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, duke mohuar në mënyrë kategorike se ndaj viktimës ishin kryer veprime të dhunshme në brendësi të lokalit “Stropcka”", njofton Prokuroria./ZËRI