
TIRANË- Vrasësit e Kristjan Markut dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Të paktën kjo është pista që po ndjek grupi hetimor i ngritur për ekzekutimin e të riut nga Rrësheni. Burime për ZËRI-n bëjnë me dije se hetuesit kanë kërkuar informacion nga Interpoli për disa persona që dyshohet se kanë marrë pjesë në ekzekutimin në Novoselë të Vlorës.
Një prej vendeve me të cilat po punohet për të identifikuar autorët e ngjarjes është edhe Kosova. Nga të dhënat që janë zbuluar deri më tani është mësuar se autorët e vrasjes ia kanë dalë që të largohen nga vendi. Fillimisht drejt Kosovës, por nuk dihet se cili ka qenë destinacioni i tyre final. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që të kenë qëndruar në Kosovë.
Sa i përket dinamikës së ngjarjes, shënjestra është ndjekur nga dy makina, njëra që është përdorur nga vrasësit në momentin që kanë kryer krimin, ndërsa tjetra ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Hetuesit kanë zbuluar se mjeti i dytë është nisur nga Fieri për të Vlorë, ka marrë ekzekutorët dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Gjithashtu, grupi hetimor po punon të zbulojë edhe arsyen se përse Marku po shkonte drejt Vlorës. Natën e vrasjes, ai është nisur nga Tirana me një mjet të marrë me qera, detaj që tregon se autorët e kanë ndjekur edhe në kryeqytet dhe i kanë vëzhguar të gjitha lëvizjet e tij. Por se ku do të shkonte është e paqartë, për më tepër kur xhaxhai i tij para Policisë tha se nipi ruhej për shkak të probleme që kishte dhe lëvizte vetëm kur ishte i sigurtë. Ndaj nuk përjashtohet edhe mundësia që i riu të jetë thirrur nga dikush për t'u nxjerrë në pritë, megjithatë këtë version mund ta konfirmojë vetëm Prokuroria.
Edhe pas më shumë se dy javëve hetime, dyshimet janë se autorët janë 3 dhe mund të jenë nga Vlora, ose ekzekutorët kanë kërkuar ndihmë nga vendas të zonës që e njohin mirë territorin që të largohen pa u pikasur nga asnjë patrullë policie. Kjo pistë hetimore është ngritur për shkak të dinamikës së ngjarjes, nga vjedhja e targave të oficerit të policisë, e cila ndodhi natën që do të kryehej vrasja. Sipas grupit hetimor, nëse zbardhet vjedhja e targës, hetimi do të jetë më i lehtë për të zbardhur ngjarjen. Grupi hetimor shprehet se vrasja e kryer teksa automjetet është në ecje është bërë nga persona me eksperiencë. Policia e Vlorës po vijon të marrë persona në pyetje, ndërkohë kamerat janë duke u shqyrtuar edhe në bizneset që ndodhen në Njësinë Administrative Novoselë, për të parë nëse mjeti i autorëve ka qarkulluar në zonë.
Kristjan Marku, i njohur edhe me mbiemrin Bardhi është nipi i Martin Bardhit të vrarë në Rrëshen në Shtator të vitit 2023. Për këtë ngjarje u vu në pranga Martin Bardhi, ndërsa në kërkim u shpallën djali i tij, Enrik Bardhi dhe nipi Kristjan Marku, i cili tashmë është pjesë e listës së gjatë të viktimave të familjes Bardhi./ZËRI