
KAMËZ-Një makinë e djegur është gjetur në zonën e Zall Herrit, pak orë pas vrasjes së Lulzim Vishës, krim i cili ndodhi mëngjesin e sotëm në Zall Mner, në Tiranë. Policia njofton se në mjetin e djegur ‘Porsche’ që është përdorur nga autorët, është gjetur edhe arma e zjarrit. Po ashtu, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura në muajin prill 2023, në Kamëz.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë për vrasjen e shtetasit L. V., ju informojmë se: Në fshatin Zgafnor, në Zall-Herr, gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e Policisë është konstatuar i djegur një automjet tip “Porsche” i dyshuar i përdorur nga autori/ët e ngjarjes. Nga këqyrja e automjetit, në brendësi të tij, është gjetur një armë e gjatë zjarri, e dyshuar si arma e përdorur nga autori/ët. Gjatë verifikimeve për targat e automjetit ka rezultuar se targat janë të vjedhura që në muajin Prill 2023, në Kamëz. Vijon puna intensive nga grupi i posaçëm hetimor për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve si dhe për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”, njofton Policia.
Lulzim Visha u gjet pa shenja jete rreth orës 07:40 të mëngjesit të sotëm brenda autojetit në në rrugën “Shën Stefani”, në Zall Mner. Autorët dyshohet se e nxorën në pritë dhe e qëlluan me pistoletë me silenciator. 48-vjeçari ishte brenda makinës së punës në momentin që u qëllua me armë. Ai punonte si postier në 'Postman'./ZËRI