
TIRANË-Në Gjykatën e Tiranës u zhvillua procesi gjyqësor për vrasjen tragjike të 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje që tronditi opinionin publik. Në seancën e radhës, para trupit gjykues janë paraqitur për të dëshmuar 5 të mitur, në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.
Mes dëshmitarëve ishte edhe i mituri K.B, i cili ndodhej në vendngjarje në momentin e ngjarjes. Ky dëshmitar ka qenë subjekt i pretendimeve nga familjarët e viktimës, të cilët kërkojnë zbardhje të plotë të rrethanave që çuan në humbjen e jetës së Martin Canit.
Të miturit kanë dëshmuar pa praninë e autorit të dyshuar, Mario Perlleshaj, ashtu siç parashikohet nga ligji për mbrojtjen e të miturve në proceset gjyqësore. Nga ana tjetër, përmes avokatit të tij mbrojtës, Përlleshaj vijon të mohojë akuzat për vrasje, duke pretenduar se ka qëlluar vetëm ndaj Luis Meçes, i cili mbeti i plagosur dhe jo ndaj Martin Canit.
Si ndodhi krimi?
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 nëntorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Sherri mes të miturve kishte nisur që të premten. Të hënën ishin riparë dhe ishin zënë gjatë orarit të pushimit të gjatë në oborrin e shkollës. Pas përfundimit të mësimit, të dy kishin mbledhur shokët për t'u përballur, por situata ka agravuar në përdorimin e thikës. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës.
Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. Ndërsa shoku i tij, Luis Meçe, mori 4 goditje me thikë, por fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Autori gjithashtu mbeti i plagosur në dorë, por kjo nuk e pengoi që pak çaste pas krimit të rëndë autori të pozonte për "Snapchat". Sipas Policisë, fotoja i është bërë nga një shok i papërfshirë në përplasje teksa ishin duke shkuar me taksi për në spital. Pas ngjarjes, pasi mori mjekimin në një spital privat, 14-vjeçari u shoqërua në institucionin për të miturit në Kavajë, në pritje të verdiktit për dënimin e tij./ZËRI