TIRANË-Prokuroria e Posaçme ka pezulluar kallëzimin e Aishe dhe Muharrem Haklajt ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha dhe 15 personave të tjerë, lidhur me vrasjet e katër vëllezërve Haklaj, Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli.
Vendimi i është komunikuar Aishe dhe Muharrem Haklaj përmes avokatit 15 ditë më parë ndërkohë që ata kanë bërë ankimin në GJKKO kundër këtij vendimi duke kërkuar vijimin e hetimeve. Do të jetë gjyqtarja Etleva Deda që do të shqyrtojë ankimimin.
Në prill të vitit 2023, Aishe Haklaj, e cila erdhi nga Suedia pas shumë vitesh, u pyet për rreth 12 orë nga prokurorët e SPAK, në cilësinë e personit kallëzues. Ajo akuzoi kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe 14 persona të tjerë për vrasjen e katër vëllezërve Halil, Shkëlqim, Fatmir dhe Ylli Haklaj, në Tropojë gjatë viteve 1997–1999. Në kallëzim Berisha dhe 14 personat e tjerë akuzohen për vrasje me paramendim, krijim të bandës së armatosur dhe organizatës kriminale, kryerje të krimeve në kuadër të tyre, si dhe akte terroriste.
Pas kallëzimit të depozituar në vitin 2022 dhe një sërë veprimesh hetimore të ndërmarra Prokurorja e SPAK Elida Kaçkini ka vendosur pezullimin e hetimeve dhe dërgimin e materialeve pranë Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe gjetjen e provave.