
KORÇË- Kristjan Sterjo, autori i dyshuar i vrasjes së 20-vjeçarit Johan Zuko, është arrestuar pas disa orësh arrati.
Policia njofton se autori kishte me vete një pushkë automatike, e cila dyshohet se është përdorur për të vrarë 20-vjeçarin. Arma e krimit është sekuestruar nga ufimormat blu.
Njoftimi i Policisë:
Identifikohet, kapet dhe arrestohet, pas disa orësh kërkimesh nga shërbimet e Policisë, autori i dyshuar i vrasjes së ndodhur pasditen e djeshme në Korçë. Vrau me armë zjarri, kallashnikov, shtetasin J. Z., 21 vjeç, pas një konflikti për motive të dobëta, arrestohet shtetasi K. S., 20 vjeç, banues në Korçë. Sekuestrohet, në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit pushkë automatike, e dyshuar se është përdorur në ngjarje.
Dje, rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka pasur një konflikt për motive të dobëta midis disa shtetasve, i cili është përshkallëzuar deri në përdorimin e armës së zjarrit. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi J. Z., 21 vjeç. Menjëherë pas ngjarjes, autori i dyshuar është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas disa orësh kërkimesh intensive, të kryera nga shërbimet e DVP Korçë, në bashkëpunim me Forcat Speciale RENEA, është bërë e mundur lokalizimi dhe kapja e 20-vjeçarit, në lagjen nr. 3, në afërsi të banesës së tij.
Në vijim të veprimeve hetimore, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e armës së zjarrit, në cilësinë e provës materiale. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj.
Ngjarja ndodhi pasditen e sotme, në lagjen nr.15 në Korçë, ku dyshohet se Sterjo qëlloi për vdekje me kallashnikov Zukon, pjesëtar i Forcave të Armatosura. Mësohet se ngjarja e rëndë ka nisur për motive të dobta mes autorit dhe viktimës, ndërsa më herët burime bënë me dije se ata ishin shokë dhe njiheshin prej kohësh./ZËRI