Aktualitet

Sherri për 'mikeshën përfundoi në vrasje! Minutat para vrasjes së Johan Zukos...Autori: Më shau, mora armën dhe e ndoqa

Para policisë, Sterjo ka rrëfyer në mënyrë të detajuar konfliktin me 20-vjeçarin, duke treguar se përplasja mes tyre kishte nisur rreth dy javë më parë për shkak të një vajze.

M.K.
Sherri për 'mikeshën përfundoi në vrasje! Minutat para
Viktima Joan Zuko dhe autori Kristjan Sterjo

KORÇË- Sherri për një vajzë përfundoi në vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë. Detaje të reja dalin nga dëshmia e Kristjan Sterjos, i dyshuar për vrasjen e 20-vjeçarit Johan Zuko në Korçë, pasditen e 8 gushtit.

Para policisë, Sterjo ka rrëfyer në mënyrë të detajuar konfliktin me 20-vjeçarin, duke treguar se përplasja mes tyre kishte nisur rreth dy javë më parë për shkak të një vajze. Sipas deklarimit të tij, ata u përballën sërish ditën e ngjarjes, fillimisht pranë disa lokaleve, ku pretendon se Zuko tentoi ta godiste me thikë.

Pas konfliktit, Sterjo ka treguar se u largua drejt banesës, mori një armë zjarri që e kishte fshehur më herët dhe u nis drejt lagjes ku banonte Zuko. Ai ka deklaruar se e gjeti 20-vjeçarin pranë një marketi dhe pasi ky i fundit u largua me vrap, e ndoqi deri në një pallat. Sipas dëshmisë, aty qëlloi me armë në drejtim të Zukos dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes.

Autori ka treguar edhe veprimet që kreu më pas, duke deklaruar se e fshehu armën në disa shkurre, u kthye në banesë, ndërroi rrobat dhe i futi në lavatriçe. Më pas, sipas tij, qëndroi në një banesë të pabanuar pranë shtëpisë së tij, deri në momentin e arrestimit nga policia.

Deklarata e Krisjan Sterjos:

Kam qenë i vetëm në trotuarin përpara lokaleve që ndodhen përballë kinemasë. Në rrugën përpara vendit ku ndodhej ai ka kaluar një automjet Mercedes-Benz, C-Class, me ngjyrë të zezë. Targën e automjetit nuk e mbaj mend, por e di që automjeti përdoret ose është në pronësi të Johan Zuko. Me Johanin, rreth dy javë më parë, kam pasur një konflikt verbal. Shkak i konfliktit ka qenë fakti se Johan Zuko kishte ngacmuar një mikeshë timen. Unë i kam kërkuar që të mos e ngacmojë, dhe gjatë konfliktit e kam goditur me pëllëmbë.

Kur ka kaluar me makinë, i fola dhe ai ndaloi. Qëllimi ka qenë të sqaronim konfliktin e mëparshëm me të. Menjëherë pasi automjeti ka ndaluar, i jam afruar te xhami i makinës. Në këtë moment, Johan Zuko ka nxjerrë një thikë dhe ka tentuar të më godasë. Pas kësaj, Johani ka zbritur nga automjeti dhe është afruar drejt meje duke u përpjekur sërish të më godasë me thikë. Për të shmangur goditjen, e kam goditur me shkelm. Në automjetin e tij ndodhej edhe një person tjetër, një djalë.

Pasi ka zbritur nga automjeti, ky person më mbajti dhe në atë momenti Johani ka tentuar të më godasë dhe më ka sharë me fjalë të pista. Në këtë moment, disa persona që ndodheshin aty kanë ndërhyrë dhe na kanë ndarë. Pas ndarjes, Johani dhe personi tjetër janë larguar sërish me automjet, ndërsa unë u largova me vrap në drejtim të banesës time. Më tej në gjendjen e gjaknxehtësisë, mora armën e zjarrit nga shtëpia, një pushkë, e gjeta më parë këtë armë dhe e mbaja të fshehur në banesë.

E mora nga vendi ku e mbaja fshehur, e futa në një thes të bardhë dhe u nisa në këmbë në drejtim të lagjes ku banonte Johan. Kur mbërrita te pashë Joanin i cili ndodhej anash një lokali që gjendet përballë marketit. Pasi e pashë iu afrova dhe nxora armën. Në momentin kur po afrohesha drejt tij, ai më ka sharë përsëri dhe më pas është larguar me vrap.

Unë e ndoqa nga pas. Ai hyri në një pallat dhe unë shkova pas tij, në atë vend e kam qëlluar më armë, duke synuar këmbët. Pas të shtënës, nuk pashë a u plagos apo cfarë i kishte ndodhur, por u largova. Kur mbërrita te Fusha e Drurëve, e fsheha armën duke e vendosur në disa shkurre dhe më pas shkova në banesë, u ndërrova dhe futa rrobat në lavatriçe. Më pas dola dhe u futa në një shtëpi të pabanuar, afër shtëpisë time.

Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e 8 gushtit, në një prej pallateve të lagjes nr. 15 në Korçë. Sipas të dhënave paraprake, 20-vjeçari Zuko është futur në pallat në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, ndërsa dyshohet se mbante një thikë në dorë. Ai u qëllua me armë zjarri në pjesën e poshtme të shpatullës dhe humbi jetën në vend, në katin e tretë të pallatit. Autori i dyshuar u arrestua vetëm pak orë pas ngjarjes./ZËRI

Poll

MOS HUMB