Aktualitet

Ndërtimi pa leje i objektit 5-katësh në Qeparo, pezullohet zinxhiri komandues i Komisariatit Himarë (EMRAT)

Sipas njoftimit, pezullimi i tyre lidhet me ndërtimin pa leje të një objekti 5-katësh në Qeparo, Himarë.

l.k
Ndërtimi pa leje i objektit 5-katësh në Qeparo, pezullohet
Objekti pa leje në Qeparo

HIMARË- Katër punonjës të zinxhirit komandues në Komisariatin e Policisë Himarë janë pezulluar nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita. Sipas njoftimit, pezullimi i tyre lidhet me ndërtimin pa leje të një objekti 5-katësh në Qeparo, Himarë.

Punonjësit e pezulluar, të cilët kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar objekti, janë: ish-shefi i Komisariatit të Policisë Himarë, Ferit Merkaj, ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë HimarëEmiljano Prenga, ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1 Klodian Petani, dhe inspektori Redi Çaushaj me detyrë Ndihmës/Specialist në Komisariatin e Policisë Himarë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Policia e Shtetit/ Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pezullon nga detyra gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë, që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo, Himarë

Në vijim të masave të marra për evidentimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, si dhe vënien përpara përgjegjësisë të personave përgjegjës, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ka bërë pezullimin e menjëhershëm nga detyra të katër punonjësve të Policisë, konkretisht:

- Nënkomisar F. M., ish-Shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;

- Komisar E. P., ish-Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht Shef i Seksionit dhe Specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum, në Komisariatin e Policisë Divjakë;

- Nënkomisar K. P., ish-Specialist për Hetimin e Krimit, Zona Policore nr. 1, aktualisht Specialist për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;

- Inspektor R. Ç., me detyrë Ndihmës/Specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë në të cilën u konstatua ndërtimi pa leje.

Pezullimi i menjëhershëm i tyre dhe nisja e hetimit disiplinor u bë pasi, në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, Himarë, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë, pa lejen e organeve kompetente.

Ky shtetas u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë, ndërsa u shpallën në kërkim 3 punonjës të IMT-së Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe 2 inspektorë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga verifikimet paraprake rezulton se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që po kryente ndërtimin.

Policia e Shtetit është e vendosur të ndëshkojë dhe largojë nga radhët e saj, cilindo punonjës policie që nuk zbaton ligjin, nuk përmbush detyrën, abuzon me të dhe cenon besimin e qytetarëve.

Sipas verifikimeve paraprake, ndërtimi pa leje i objektit në vendin e quajtur “Sugë”, në Qeparo, kishte nisur në dhjetor 2025. Objekti u konstatua gjatë kontrolleve të Policisë në kuadër të masave për parandalimin e krimeve kundër mjedisit. Për ndërtimin pa leje u arrestua pronari, Lulzim Bajri, ndërsa në kërkim u shpallën kryeinspektori i IMT-së Himarë, Dorjan Hoxha, dhe dy inspektorët Mateo Koshi e Andi Hoxha, të dyshuar për “shpërdorim detyre”.

Ndërkohë, kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, urdhëroi shkrirjen e Drejtorisë së IMT-së, ndërsa gjashtë punonjës të këtij institucioni u shkarkuan nga detyra./ZËRI

Poll

MOS HUMB