KURBIN- Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me plagosjen e 22-vjeçarit Veron Pasha, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e së shtunës, 25 korrik, në fshatin Gjorm të Kurbinit.
Në njoftimin zyrtar, policia bën me dije se ka identifikuar autorin e dyshuar të plagosjes, 47-vjeçari Klodjan Ndoj, dhe e ka shpallur në kërkim. Pas plagosjes, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ku janë gjetur dhe sekuestruar 2 gëzhoja, teksa nën kërcënimin e armën i ka marrë të riut edhe automjetin.
Sipas burimeve, fillimisht mes tyre ka nisur një konflikt fizik, ku shkak i përplasjes mes tyre dyshohet një vajzë.
Nga të shtënat, 22-vjeçari Veron Pasha ka marrë një plagë në këmbë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, policia dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e autorit të dyshuar dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Njoftimi:
Zbardhet ngjarja ku u plagos me armë zjarri në këmbë një 22-vjeçar.
Shpallet në kërkim një 47-vjeçar, i dyshuar si autori i ngjarjes, i cili pas plagosjes u largua nga vendi i ngjarjes duke marrë, nën kërcënimin e armës, edhe automjetin e 22-vjeçarit, Klodjan Ndoj.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, për ngjarjen e ndodhur më datë 25.07.2026, bazuar në provat e siguruara, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Lezhë, në bashkëpunim me specialistët e Komisariatit të Policisë Kurbin, identifikuan dhe shpallën në kërkim shtetasin K. N., 47 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të shtetasit V. P., 22 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Nga veprimet hetimore rezultoi se autori, pas plagosjes, është larguar nga vendi i ngjarjes, duke i marrë 22-vjeçarit, nën kërcënimin e armës, automjetin.
Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, 2 gëzhoja.
Punohet intensivisht për kapjen e autorit dhe gjetjen e automjetit të 22-vjeçarit.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Vjedhja me armë” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”./ZËRI
