TIRANË-Një magazinë ku modifikoheshin me programe ilegale, makineta të kontrabanduara, të cilat iu shiteshin organizatorëve të lojërave të fatit është zbuluar te Kodra e Priftit në Tiranë. Lidhur me rastin dy persona të moshave 53 dhe 67 vjeç janë arrestuar. Policia njofton se Admirim Spaho kishte marrë me qira, një magazinë, në zonën e quajtur “Kodra e Priftit”, dhe në bashkëpunim me Sami Konin, dyshohet se kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje.
Gjatë operacionit të koduar “Interceptimi”, efektivët gjetën dhe sekuestruan 25 makineta (slot machine), 4 celularë, 2 laptopë dhe 1 njësi kompjuterike.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet si rezultat i një hetimi 5-mujor, me metoda proaktive, operacioni i koduar “Interceptimi”.
Zbulohet se në një magazinë te Kodra e Priftit, modifikoheshin me programe ilegale, makineta të kontrabanduara, të cilat iu shiteshin organizatorëve të lojërave të fatit.
Arrestohen organizatori i kësaj veprimtarie në ambientin e marrë me qira, si dhe bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen 25 makineta (slot machine), 4 celularë, 2 laptopë dhe 1 njësi kompjuterike.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Mashtrimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Sektorit të Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë, në kuadër të operacionit të koduar “Interceptimi”, arrestuan shtetasit A. S., 53 vjeç dhe S. K., 67 vjeç.
Si rezultat i një pune të thelluar hetimore, aplikimit të metodave speciale të hetimit, si dhe monitorimit dhe interceptimit të valëve elektronike, u konstatua se shtetasi A. S. kishte marrë me qira, një magazinë, në zonën e quajtur “Kodra e Priftit”, ku në bashkëpunim me shtetasin S. K., dyshohet se kontrabandonte makineta nga shtetet fqinje, të cilat nëpërmjet programeve elektronike të vjedhura dhe ndërhyrjeve elektromagnetike, programoheshin sipas kërkesave të shtetasve/subjekteve të interesuara, të përfshira në organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit.
Hetimi vijon për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast kriminal.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.