PUKË- Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim mbi situatën e zjarrit në fshatin Gojan i Madh, në Njësinë Administrative Gjegjan, ku vijon ndërhyrja për izolimin e flakëve.
Sipas njoftimit, operacioni po zhvillohet si nga toka, ashtu edhe nga ajri, në një terren të vështirë malor. Në terren janë angazhuar forca zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, strukturat bashkiake dhe vullnetarë, ndërsa ndërhyrja nga ajri po kryhet me tre helikopterë të FA-së.
Për shkak të situatës, ka nisur largimi i banorëve më të ekspozuar, me përparësi fëmijët, të moshuarit dhe personat me probleme shëndetësore.
Ministria bën me dije se, falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për vendosjen e plotë të situatës nën kontroll.
NJOFTIM:
Në fshatin Gojan i Madh, Njësia Administrative Gjegjan, Bashkia Pukë, vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri për menaxhimin e vatrës së zjarrit, në një terren të vështirë malor.
Në operacion janë angazhuar 5 automjete zjarrfikëse me 19 efektivë të MZSH Pukë dhe Fushë-Arrëz, 10 punonjës të Shërbimit Pyjor, 40 forca bashkiake dhe 30 vullnetarë, të mbështetur nga 40 efektivë të Forcave të Armatosura, 1 automjet zjarrfikës dhe 3 helikopterë të FA-së. Aktualisht vijon edhe ndërhyrja nga ajri me helikopter.
Për shkak të situatës, ka nisur evakuimi i banorëve më të ekspozuar, duke i dhënë përparësi fëmijëve, të moshuarve dhe personave me probleme shëndetësore. Falë ndërhyrjes së strukturave në terren dhe nga ajri, rreziku më i madh për zonën e banuar ka kaluar, ndërsa operacioni vijon për vënien e plotë nën kontroll të situatës.
Procesi i evakuimit dhe operacioni po zhvillohen në koordinim me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), Prefekturën e Qarkut Shkodër, strukturat e emergjencave civile të Bashkisë Pukë, Policinë e Shtetit dhe shërbimet zjarrfikëse.
AKMC vijon koordinimin dhe monitorimin e situatës, në bashkëpunim me të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
View this post on Instagram
/ZËRI