Aktualitet

33-vite nga rënia e bustit të Enver Hoxhës, dita kur kujtohen martirët e diktaturës

Rrëzimi i bustit të diktatorit komunist, Enver Hoxha u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij

E.K
33-vite nga rënia e bustit të Enver Hoxhës, dita kur kujtohen
Rrezimi i bustit

TIRANË- 20 Shkurti shënon ditën e rrëzimit të bustit të diktatorit Enver Hoxha, ndërsa këtë të martë, ky 33-vjetor do të nxjerrë në shesh mbështetësit e opozitës. Dita e protestës së parë kombëtare pas shumë kohës, është lënë pikërisht në një ditë simbolike, që është dhe ajo e kujtesës për martirët dhe viktimat e regjimit komunist.

Më 20 shkurt të vitit 1991 mijëra qytetarë u ngritën për të shembur simbolin e komunizmit, pak muaj pasi regjimi i vjetër që po jetonte ditët e tij të fundit kishte lejuar pluralizmin politik.

Rrëzimi i bustit të diktatorit u nxit nga greva e urisë e ndërmarrë nga disa qindra studentë për t’i hequr universitetit emrin e tij. Kjo ishte nga ngjarjet më të spikatura që ndikuan në rënien totale të regjimit komunist në Shqipëri.

Momenti kur statuja e Enver Hoxhës u rrëzua atë ditë të ftohtë shkurti me dhunë, por edhe që u tërhoq zvarrë njihet si akti simbolik i rrëzimit të diktaturës.

20 shkurti është caktuar si Dita e Kujtesës Kombëtare për martirët dhe viktimat e regjimit komunist, ndërsa shënoi edhe fundin e diktaturës në Shqipëri./ZËRI 

Poll

MOS HUMB