Aktualitet

462 seanca të dështuara në GJKKO nga bojkoti i avokatëve, Dhoma e Avokatisë kërkon zgjidhje nga KLGJ

Gjatë takimit përfaqësuesit e avokatëve kanë kërkuar garantimin e ushtrimit të lirë të profesionit dhe krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin normal të seancave gjyqësore.

M.K.
462 seanca të dështuara në GJKKO nga bojkoti i avokatëve,
Këshilli i Lartë Gjyqësor

TIRANË- Ditën e sotme tre përfaqësues të Dhomës Kombëtare të Avokatisë kanë zhvilluar një takim me anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor ku kanë kërkuar ndërhyrjen e këtij institucioni për zgjidhjen e ngërçit mes avokatëve dhe Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Gjatë takimit përfaqësuesit e avokatëve kanë kërkuar garantimin e ushtrimit të lirë të profesionit dhe krijimin e kushteve të nevojshme për zhvillimin normal të seancave gjyqësore.

Përplasja lidhet me rregulloren e re të GJKKO-së të hartuar nga kryetari Erion Bani, të cilën Dhoma e Avokatisë e kundërshton për shkak të kufizimeve që vendosen ndaj avokatëve dhe mediave. Mes pikave të kontestuara është edhe ndalimi i mbajtjes së celularëve gjatë seancave gjyqësore.

Anëtarët e KLGJ-së kanë dëgjuar shqetësimet e paraqitura, ndërsa pritet të zhvillojnë diskutime me drejtuesit e Gjykatës së Posaçme për të gjetur një zgjidhje dhe për të normalizuar proceset gjyqësore.

Bojkoti i avokatëve i nisur më 1 shtator ka shkaktuar ndërprerje të shumta të proceseve në GJKKO. Sipas të dhënave të bëra publike 462 seanca kanë dështuar gjatë kësaj periudhe, ndërsa vetëm 24 janë zhvilluar./ZËRI

Poll

MOS HUMB