TIRANË- Grupi i Partisë Socialiste kërkon përjashtimin e 20 deputetëve të Partisë Demokratike, pas tensioneve dhe përplasjeve fizike në seancën plenare të kësaj të enjteje.
Konkretisht, PS kërkon përjashtimin me 60 ditë për Flamur Nokën, Belind Këlliçin, Fidel Krekën, Edi Palokën, Besart Xhaferrin dhe Luçiano Boçin.
Ndërkohë, PS kërkon përjashtimin me 10 ditë për 14 deputetë të tjerë: Gjin Gjoni, Bardh Spahia, Albana Vokshi, Elda Hoti, Xhelal Mziu, Gent Strazimiri, Enno Bozdo, Kastriot Piroli, Kliti Hoti, Flamur Hoxha, Arjan Ndoja, Ivi Kaso, Zija Ismaili dhe Blendi Himçi.
Në kërkesën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, dhe Sekretariatit për Procedurat, Votimet dhe Etikën, PS argumenton se sjellja e deputetëve për të cilët kërkohet përjashtuimi, përbën shkelje të rënda të normave të etikës dhe disiplinës parlamentare, duke cenuar autoritetin e Kuvendit dhe kushtet për ushtrimin e rregullt të veprimtarisë parlamentare.
Sipas socialistëve, veprimet e deputetëve të sipërcituar u shoqëruan me bllokim të foltores së Kuvendit, tensione dhe zhurmë të vazhdueshme nga deputetë të tjerë të opozitës, duke penguar zhvillimin e rregullt të procedurës së votimit.
Seanca e sotme nisi me tensione. Situata u tensionua kur Flamur Noka i heqoi mikrofonin kryetarit të Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla. Ndërkohë që Balla mori fjalën, pranë tij u afrua Flamur Noka, i cili i mori kartën dhe i bllokoi mikrofonin. Noka vijoi duke i hedhur letra në fytyrë Ballës, pasi ky i fundit tha se Policia e Shtetit po bën punën e vet në protestë.
Kaosi në Kuvend vijoi edhe gjatë votimit të projektligjeve, kur sërish Noka, u ka marrë deputetëve të Partisë Socialiste kartonat jeshilë të votimit. Tensionet nuk përfunduan me kaq, pasi deputeti i PD-së Fidel Kreka shtyu dhe goditi me bllokun e votimit në kokë ish-ministrin Ervin Hoxha, pasi ky i fundit kërkoi që të qetësohet situata. /ZËRI

