
KOSOVË- Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka folur në një konferencë për mediat ku u prezantua armatimi i kapur afër Banjskës, ku ndodhi dje dhe sulmi me armë në drejtim të policisë.
Sveçla ka bërë të ditur se së paku tre pjesëtarë të grupit terrorist janë vrarë, 2 janë arrestuar, dhe 4 të arrestuar të tjerë dyshohen për mbështetje.
Kurse, gjashtë persona të lënduar po trajtohen sipas tij në Spitalin e Novi Pazarit në Serbi, për të cilët Sveçla ka kërkuar që ti dorëzohen Kosovës.
Sveçla ka bërë të ditur se janë gjetur dokumente që dëshmojnë përfshirjen e kriminelit Milan Radojiçiç në këtë sulm terrorist.
“Në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por organizim terrorist të udhëzuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë organizim duhen përgatitje disa muaj. Pra nuk ka qenë diçka ad-hoc. Në këto materiale kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiçi, që dëshmojnë lidhjen e tij dhe pjesëmarrjen në këtë aksion. Kjo është lista e armëve, apo leje zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radojiçiç”, ka thënë Sveçla.
“Policia jonë është ballafaquar me sërë sulmesh të organizuara mirë nga persona të maskuar, nga njësi profesionale e speciale të mbështetura financiarisht e logjististikisht nga Serbia. Ata kanë pasur edhe mjete të renda si auto-blinda me të cilat kanë zhvilluar operacionin e tyre. Falë profesionalizmit të Policisë, plani i tyre ka dështuar.
Në shkëmbimin e zjarrit mes grupit të organizuar dhe policisë, kanë mbetur tre të vrarë nga ata, të gjithë me uniforma e me pajisje, dhe janë arrestuar dy të tjerë. Dhe katër persona që kanë qenë në rolin e tyre mbështetës në këtë aktivitet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, atij i është dhënë ndihma e parë nga policia në terren e pastaj edhe në spitalin e Mitrovicës.
Asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave të deritashme 6 terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit, dhe kërkojmë që ata t’i dorëzojë autoriteteve të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Milan Radojçiçi konsiderohet si udhëheqësi i një grupi kriminal të themeluar që nga viti 2011.
Pranë Radojçiçit, në vazhdimësi qëndrojnë një grup personash që udhëhiqen po nga ai, e që në këtë zonë njihen si “Mjekrroshat”. Burime brenda organeve të sigurisë bëjnë me dije se këta persona kryejnë aktivitete kriminale në Veri të Kosovës.
Ata në vazhdimësi janë marrë me kërcënime, shantazhe, zhvatje, frikësim e kushtëzime, ndërsa besohet se janë të përfshirë edhe në vrasje të rënda./Zëri.ai