Aktualitet

Sulmi ndaj policisë së Kosovës, reagon sekretari Blinken

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku

E.K
Sulmi ndaj policisë së Kosovës, reagon sekretari Blinken
Antony Blinken

KOSOVË- Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se SHBA-ja dënon fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të shtetit, duke u bërë thirrje qeverive të Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet.

“Autorët e këtij krimi duhet të mbahen përgjegjës përmes një procesi transparent të hetimit”, tha Blinken përmes një deklarate.

Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm kriminal në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vunë re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve.

Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij. Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.

Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës, ndërkohë që situata në veri të paktën mëngjesin e sotëm është paraqitur e qetë, me Manastirin e Banjskës që është nën kontroll nga policia e Kosovës, në të cilin u gjetën sasi të mëdha armësh dhe municioni. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai

Poll

MOS HUMB